Në seancën e jashtëzakonshme për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2020, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere Hekuran Murati ka arsyetuar raportin për buxhetin e rishikuar me rekomandime.
Ai tha se janë 108 amendamente që janë prezantuar, ndërsa 39 amendamente që kanë marrë mbështetjen e Komisionit, derisa të tjerat nuk e kanë mbështetjen e Komisionit.
Deputeti Murati ka folur për buxhetin edhe në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili tha se ky projektbuxhet është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
Ai tha se pakoja për rimëkëmbje ekonomike nuk do të jetë 385 milionë euro siç është proklamuar nga Qeveria.
Murati: Me këtë buxhet nuk ka pako për rimëkëmbje ekonomike
“Sa i përket buxhetit është proklamuar se do të jetë buxhet i rimëkëmbjes ekonomike, që do të jetë një buxhet i mirëfilltë dhe për qytetarët, mirëpo kjo nuk është vërejtur. Për nga ana përmbajtjesore kemi problem aty ku figuron pako e rimëkëmbjes ekonomike që fillimisht ka qenë 385 milionë euro tash është zvogëluar për disa amendamente. Por, problemi qëndron se nuk ka pako të rimëkëmbjes ekonomike, shihet që në ata pako realisht ka hyrë edhe pako emergjente fiskale e Qeverisë Kurti, e cila peshon diku 190 milionë euro, pjesa tjetër që quhet si pjesë e pakos për rimëkëmbje ekonomike prej tyre 100 milion euro nuk janë në dispozicion të qeverisë”, tha Murati.
Rishikimi i buxhetit 2020 ishte miratuar në lexim të parë në Kuvend më 13 korrik. Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro. Derisa është paraparë me këtë buxhet e Plani për Rimëkëmbje Ekonomike prej 385 milionë euro./Tv Malisheva