Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP) në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian (MIE) dhe nëpërmjet projektit të GIZ “Mbështetje për procesin e Integrimit Evropian”, në kontekst të zbatimit të “Strategjisë së komunikimit dhe informimit në mbështetje të procesit të integrimit evropian të Kosovës 2018 -2021” dhe në harmoni me Udhëzimin Administrativ (QRK) – Nr. 13/2018 për Kushtet, Angazhimin, Kategorizimin dhe mënyrën e pagesës së trajnerëve në Institutin e Kosovës për Administratë Publike shpallë këtë thirrje:

Ftohen nëpunësit civil të interesuar dhe me njohuri në komunikim dhe komunikim të procesit të Integrimit evropian, që po ashtu kanë aftësi për ligjërim, të aplikojnë për ligjërues/trajnerë të ardhshëm për zbatimin e Programit për Trajnim të Trajnerëve për komunikimin e MSA-së në Kosovë.

Qëllimi i këtij programi është që të krijoj një grup trajnerësh të komunikimit të MSA-së, të pajisur me aftësi dhe njohuri se si të komunikojnë MSA-në dhe procesin e Integrimit Evropian, me bashkëpunëtorët dhe kolegët e tyre brenda institucioneve.

Synimet primare të këtij programi janë:

1.Forcim i kapaciteteve të komunikimit për zyrtarët në nivelin qendror dhe lokal,
2.Zhvillim i njohurive për procesin e Integrimit Evropian dhe,
3.Zhvillim i aftësive të komunikimit të politikave afatgjate, ndër sektoriale, dhe të koordinuara si rreth çështjeve të MSA dhe integrimit në BE,
4.Zhvillim dhe avancim i aftësive për menaxhim me mediat sociale,
5.Aftësim për transferim të njohurive – “edukimi për të rritur”.

Me përfundimin e këtij programi, trajnerët (pjesëmarrësit) do të aftësohen në hartimin e mesazheve për procesin e Integrimit evropian, në gjuhë të thjeshtëzuar, të përditësuar, përmes ushtrimeve praktike në grup, duke e ndërlidhur MSA-në në jetën e përditshme përmes praktikave studimore të përfshira në modulet e programit. Trajnimi në edukimin e të rriturve gjithashtu duhet t’u sigurojë pjesëmarrësve aftësi për trajtimin e pritshmërive nga audienca të ndryshme. Dinamika e grupit e krijuar gjatë TpT do t’i lejojë pjesëmarrësit të përfshihen në mënyra të reja dhe kreative të bashkëpunimit, duke nxitur shkëmbimin e ndërsjellë të përvojave dhe burimeve të informacionit ndërmjet pjesëmarrësve e bashkëpunëtorëve.

Kohëzgjatja dhe koha e mbajtjes së programit të trajnimit:

Programi i Trajnimit të Trajnerëve pritet të mbahet mes muajve tetor-shkurt 2019/2020.
Trajnimi përbëhet nga programi specifik me 6 module, 2-3 ditë për modul dhe testimi për shkathtësitë e trajnimit prej 2 ditëve. Planifikimi indikativ mund të ndryshohet.

Vlerësimi i kandidatëve:

Në harmoni me Udhëzimin administrativ të lartë cekur, të gjithë kandidatët për trajnerë do të vlerësohen para dhe pas përfundimit të trajnimit.

Aplikacionet vlerësohen në bazë të kritereve si në vijim:

• Arsimimi dhe kualifikimi profesional
• Përvoja e punës institucionale 5 vite – (përparësi përvoja e punës në DIEKP dhe Zyrat për komunikim)
• Përvoja në trajnime
• Elementet tjera meritore (publikime në fushën përkatëse, pjesëmarrja në hartimin e legjislacionit në fushën përkatëse, certifikata, rekomandime, njohje të gjuhës angleze)
• Gatishmëria dhe aftësia për mësimdhënie dhe shkëmbim të njohurive
• Njohuritë për BE, integrimin në BE dhe në mediat sociale është përparësi;

Angazhimi i trajnerëve pas trajnimit:

Aplikantët e suksesshëm, certifikohen dhe pastaj angazhohen si trajner në programet specifike të trajnimit.

Afati kohorë për dorëzimin e aplikacioneve: 15-tetor-2019 deri me 29-tetor-2019. Numri i kandidatëve që do të përzgjidhen për të vijuar trajnimin është i limituar.

Kandidatët e interesuar duhet të dërgojnë CV (formati Europass) dhe një letër motivimi në mënyrë elektronike në gjuhën shqipe, në e-mail adresën: [email protected] duke specifikuar emërtimin e programit për të cilin aplikojnë.

Të gjitha kualifikimet dhe dëshmitë e përmendura në CV tuaj mund të kërkohen për verifikim.

Share.