Njëri nga ekspertët më të njohur për politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian profesori nga Parisi, Christian Lequesne, thotë se zgjerimi nuk është prioritet i lidershimit të Bashkimit Evropian në këtë kohë krize të shkaktuar nga pandemia.

Në një intervistë ekskluzive professor Lequesne, fletë për mundësitë e hapjes së negociatave për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pamundësinë e anëtarësimit të Serbisë pa i normalizuar raportet me Kosovën, ndikimin që kanë negociatat mes Kosovës dhe Serbisë në proceset integruese, nevojën e forcimit të sundimit të ligjit në shtetet e Ballkanit Perëndimor, perceptimin e gabuar në disa shtete të Ballkanit se BE nuk do t’i pranojë ato shtete me popullsi myslimane etj.

Intervistoi: Fadil Miftari

Profesor Lequesne, ju jeni një nga ekspertët më të mirë në Evropë përsa i përket konceptit të Unionit ose më saktë politikave të saj rreth zgjerimit. Doja të të pyesja për rrugën e gjatë dhe akoma të paarritshme në procesin e integrimit në BE të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Na tregoni ju lutemi çfarë po ndodh në këtë drejtim?

Christian Lequesne: Situata është përmirësuar me vendimin për të filluar negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. Tani kemi 4 shtete me të cilat mund të zhvillohen negociatat sipas Deklaratës së Selanikut të vitit 2003, edhe nëse këto negociata nuk kanë filluar akoma me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë. Situata e Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës është natyrisht më e vështirë. Të qenit shtet anëtar i Bashkimit Evropian kërkon para së gjithash të jetë një shtet i plotë sovran dhe një shtet i stabilizuar. Bosnje-Hercegovina ende vuan nga vështirësitë duke qenë një shtet i dobët për shkak të kompromisit të vështirë midis komuniteteve. Kosova ende konsiderohet si pjesë e territorit të saj nga Serbia dhe madje nuk njihet nga 5 shtete anëtare të BE-së. Këto probleme duhet të zgjidhen para çdo procesi të zgjerimit. Një gabim i madh do të jetë të mendoni se zgjerimi është mrekullia që zgjidh gjithçka (ndërtimin e shtetit, çështjen e sovranitetit). Nuk është e vërtetë. Ekzistojnë parakushte për t’u anëtarësuar në një BE e cila mbetet një Union i shteteve sovrane.

Duket se ka mungesë transparence nga ana e Bashkimit Evropian dhe udhëheqjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në raport me qytetarët, pasi të dy palët fajësojnë njëra-tjetrën për ngecjen e këtij procesi. Nga këndvështrimi juaj, ku janë pengesat reale në këtë proces?

Christian Lequesne: Ekziston hipokrizia nga të dy palët, jam dakord. Për BE-në në tërësi, zgjerimi nuk është prioritet për momentin. Ka çështje të tjera (rimëkëmbja e ekonomisë, buxheti, Brexit) për tu zgjidhur. BE negocion zgjerimin e ardhshëm pa plan konkret për ta përfunduar atë. Për shtetet e Ballkanit, hipokrizia është të veprojë sikur rregullat demokratike dhe fundi i nacionalizmit të funksionojnë mirë. Nuk është rasti. Demokracia dhe toleranca përballë “tjetrit” nuk kanë arritur ende standardet e BE-së në shumicën e vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor.

Vitin e kaluar, Franca bllokoi dy vendet e Ballkanit, Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, nga hapja e procesit të negociatave të anëtarësimit në BE. Presidenti Macron tha që ndërmori hapin sepse të dy vendet nuk kishin bërë sa duhet nga reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Duke pasur parasysh dinamikën që BE ka ndjekur në të kaluarën në raport me vendet e tjera, a do të duhet të fillojë së shpejti ky proces negociator, apo është e mundur që politikat e zgjerimit të mos ndodhin në të ardhmen e afërt?

Christian Lequesne: Mos harroni se ne po flasim për procese diplomatike. Në procese të tilla, ju gjithmonë keni formën dhe substancën. Supozimi im është që ne mund të fillonim negociatat me të dy vendet, siç tashmë është rasti me Serbinë dhe Malin e Zi, por që do të marrë një kohë të gjatë për t’u finalizuar. Përsëri, zgjerimi aktualisht nuk është prioriteti numër një i vendeve anëtare të BE-së.

Në Ballkan kishte kritika ndaj Bashkimit Evropian se nuk është gati për të zgjeruar rrethin e saj. A mendoni se qëndron kjo?

Christian Lequesne: Unë mund ta kuptoj shumë mirë. BE ka propozuar zgjerimin në Ballkan për të kufizuar nacionalizmin dhe tani hezitimi i saj për të ecur përpara po rrit nacionalizmin. BE duhet të mendojë për këtë në terma më gjeopolitikë. Një variabël tjetër për BE-në është përfitimi që po u jep fuqive të tjera “të mëdha” në rajon si Kina dhe Rusia. Gjatë krizës Covid-19, disa liderë të shteteve të Ballkanit, vendet e të cilëve janë angazhuar në negociata për zgjerimin, shprehën mbështetje të hapur për modelin kinez të qeverisjes. Pse jo? Por nëse Ballkani joshet nga modeli kinez, ata duhet të dinë se nuk do t’u sigurojë atyre saktësisht një të ardhme demokratike!

Meqenëse unë përfaqësoj një medium të Kosovës, megjithatë, do t’ju pyes pashmangshëm për liberalizimin e vizave: A është e padrejtë për qytetarët e Kosovës që janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen?

Christian Lequesne: E kuptoj këtë ndjenjë të padrejtësisë. Lëvizja e lirë e personave konsiderohet në ditët e sotme si e drejtë qytetare. Edhe pse shumë kosovarë punojnë në BE dhe gjithashtu në Zvicër, ata kanë nevojë për vizë Shengen. Kjo është diçka që mund të negociohet me BE-në në mënyrë të pavarur nga zgjerimi. Këshillat e mia janë t’i japim kredencialet BE-së në përmirësimin e sundimit të ligjit. Imazhi gjithashtu luajn një rol në diplomaci. Së fundmi, një mik sllovak më tha se në vendin e tij Kosova ka imazhin e “krimit të organizuar”. Sigurisht, ne po flasim këtu për perceptime dhe jo domosdoshmërisht të vërtetën. Por masat e qarta për të kontrolluar korrupsionin dhe krimin është mënyra më e mirë për të marrë liberalizimin e vizave.

A ka ndikuar problemet politike që ekzistojnë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe a mund të ndikojnë në këtë proces të liberalizimit të vizave?

Christian Lequesne: Sigurisht që luan një rol. Pesë vendet anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën si një shtet sovran.

Nga këndvështrimi i një eksperti, çfarë duhet të bëjë Kosova më shumë për të siguruar liberalizimin e vizave, sepse hapja e negociatave për anëtarësim është sigurisht shumë larg?

Christian Lequesne: Unë tashmë i jam përgjigjur kësaj pyetjeje. Përsëri, alternativa më e mirë që Kosova mund të miratojë është të zgjedh politikanë që janë të përgatitur të rrisin rregullimin demokratik të Shtetit mbi shoqërinë, veçanërisht në aktivitetet ekonomike. Unë gjithashtu e di se është e lehtë të thuhet nga Parisi. Marrëdhëniet e vështira shtet / shoqëri janë probleme strukturore në Ballkan, duke përfshirë edhe në shtetet anëtare të BE-së si Rumania, Bullgaria por edhe Greqia.

Siç dihet udhëheqja evropiane, edhe Presidenti Macron dhe Kancelarja Merkel janë të përfshirë direkt në përpjekjet e Perëndimit për të arritur një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. A janë çështjet politike të pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë një problem për procesin e pranimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian?

Christian Lequesne: Po vërtet. Nuk shoh ndonjë mundësi reale që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në BE nëse nuk e njohin sovranitetin e njëri-tjetrit. Normalizimi i marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e BE-së ka qenë një hap shumë pozitiv, por kjo nuk është e mjaftueshme. Hapi tjetër duhet të jetë njohja. Nëse Beogradi dhe Prishtina nuk e pranojnë këtë hap të ri, nuk do të ketë anëtarësim. BE mund të ndihmojë të dy vendet të shkojnë në këtë drejtim, por përgjegjësia përfundimtare është në të dy kryeqytetet.

Në disa vende këtu në Ballkan ekziston një teori, që sigurisht jo e thënë hapur që opinioni publik në Bashkim Evropian nuk është i gatshëm për vendet që kanë një popullsi kryesisht myslimane. A mund të ketë vërtet një perceptim të tillë?

Christian Lequesne: Nuk jam i sigurt se është një çështje kaq e madhe në rastin e Ballkanit. Definitivisht ka qenë një çështje në lidhje me aplikimin e Turqisë në BE. Por popullsia myslimane në Ballkanin Perëndimor, gjithashtu si rezultat i përvojës Jugosllave, në përgjithësi është shumë laike dhe konsiderojnë se para së gjithash i përkasin Evropës. Nuk do të thotë se disa prej tyre nuk joshen nga fenomeni i përgjithshëm i rishfaqjes së identitetit të tyre fetar dhe e shndërrojnë atë në një angazhim politik. Vendet si Katar, Arabia Saudite dhe madje edhe Turqia e nxisin këtë nganjëherë me disa aktivizma shoqëror. Por do të jetë një gabim të mbitheksoni fenë myslimane si një faktor politik në Ballkan. Tani, nëse i konsideroj lëvizjet ekstremiste të djathta në BE, ato shpesh përdorin rastin e Ballkanit Perëndimor në retorikën e tyre antimuslimane; ata preferojnë të përqëndrohen në Lindjen e Mesme dhe Turqinë.

/ Christian Lequesne është një akademik francez, Profesor i Politikave Evropiane në Shkencat Po, Drejtor i Center d’études et de recherches internationales (CERI), dhe Profesor në Kolegjin e Evropës. Profesor Lequesne gjithashtu është ligjerues visitor në disa kolegje prestigjioze evropiane dhe vlersohet si eksperti më I mirë evropian mbi konceptin e Bashkimit Evropian me theks të veçant në politikat e zgjërimit. Poashtu është anëtar në bordet redaktuese dhe këshillat shkencorë të Critique Internationale, Politique européenne dhe Europian Integrations sidhe Samitit Evropian të Pragës./Tv Malisheva

Share.