Një president amerikan që fillon një luftë diku në botë, pret ta fitojë një garë të cilën ai mendon se tanimë e ka humbur – është një skenar i njohur për adhuruesit e filmave. Por, një president amerikan që kërcënon të zhvillojë luftë në qytetet amerikane për të përmbysur një kampanjë zgjedhore? Kjo është diçka e padëgjuar.
Të paktën ishte deri tani.
Si në videolojëra
Në mes të reve të gazit lotsjellës, policia federale e veshur me uniforma betejash gjuankanistra gazi brenda turmës arreston protestues në rrugë, duke i mbyllur ata pa urdhër gjykate. Incizimet që tregojnë shpërndarjen e trupave ushtarake në Shtetet e Bashkuara duken si skena nga videoloja “Call of Duty”. Por, janë të vërteta.
Donald Trump ka shpërndarë trupat federale nga departamenti i tij i Sigurisë së Brendshme, si një lloj force militare presidenciale në Portland në bregdetin perëndimor, ku kanë përdorur forcë brutale kundër mbështetësve të kampanjës “Black Lives Matter”, të cilët kanë protestuar në qytet për javë të tëra. Këto forca të sigurisë të armatosura rëndë janë zakonisht të rezervuara për aksione, si operacionet kundër terrorizmit ose ndjekja e kontrabandistëve të drogës. Ata nuk kanë asnjë shenjë dhe veturat e tyre nuk kanë targa.
Çdo ditë, qindra nëna ngrihen në mënyrë paqësore kundër autoriteteve. Ato e quajnë veten “Muri i nënave” dhe këndojnë “ju lutem mos na gjuani”, e vjersha të çerdheve. Por, forcat e sigurisë nuk kanë asnjë respekt ndaj tyre. “Çdo natë, nënat janë përlotur, nënat janë arrestuar, nënat janë trajtuar me dhunë”, thekson Joselyn Merrill, një nga nënat që protestojnë. Merill është një veterane e forcave ajrore. Ka tre fëmijë.
“Një anëtar i kongregacionit tim, i cili është po ashtu një komisioner i qytetit, ishte përlotur nga gazi lotsjellës”, tha Merrill. “Mjekët e rrugës kanë qenë po ashtu të shënjestruar. Këta janë njerëz që po shpenzojnë vullnetarisht kohën e tyre për t’u siguruar se siguria e të gjithëve është gjëja primare çdo natë. Është shokuese që kjo po ndodh”.
Merill tregon se ajo u betua mbi kushtetutën si veterane e forcave ajrore. “Asnjëherë nuk kam menduar se kjo do të ndodhte në tokën e Shteteve të Bashkuara”.
Trump “pushtuesi”
Presidenti, i cili ka mbetur shumë prapa kundërshtarit Joe Biden të Partisë Demokratike në pothuajse të gjitha sondazhet, po bën diçka që asnjë nga paraardhësit e tij nuk e ka bërë: po i pushton qytetet amerikane. “Ne do të bëjmë diçka”, tha Trumpi. New York, Chicago, Philadelphia, Detroit dhe Baltimore, tha ai, janë të gjitha të udhëhequra nga “demokratët liberalë”, nga e “majta radikale”. Ai argumentoi se nëse Bideni e fiton presidencën, e njëjta do të ndodhte me pjesën tjetër të shtetit. “I gjithë shteti do të shkonte në ferr. Dhe ne nuk do ta lejojmë që ai të shkojë në ferr”.
Portland ishte fillimi. Presidenti tani do të kthehet kah qytetet ku ai beson që ka shumë krim, që në fakt është rritur në disa vende gjatë pandemisë. Por, lufta kundër krimit është natyrisht përgjegjësi e policisë lokale, me forcat federale që integrohen vetëm atëherë kur u kërkohet nga autoritetet lokale. Të mërkurën, Trump njoftoi për një “valë”, një term ushtarak nga periudha e luftës së Irakut që përshkruan një rritje masive në numrin e trupave me qëllim të qetësojnë vendin. Qindra oficerë federalë janë nisur tanimë në qytete si Chicago.
Kritikët paralajmërojnë se Trumpi po mbjell kaosin vetëm që më vonë ta portretizojë veten si shpëtimtar. Në fillim të kësaj jave, kolumnisti majtist i “New York Times”, Michelle Goldberg, shkroi: “Okupimi i qyteteve të Amerikës nga Trump ka filluar”./Tv Malisheva