Në ditën e festës së Kurban Bajramit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mëngjesin e nisi duke vizituar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës dhe Klinikën Infektive.
Shefi i ekzekutivit aty takoi ata të cilët janë të vijën e parë të frontit në luftën me COVID19. Nga aty Hoti tha se gjendja me koronavirus në vend është e rëndë, por përshëndeti respektimin e masave nga ana e qytetarëve në këtë ditë feste.
Hoti: Gjendja me COVID19 është e rëndë
“Në këtë ditë feste sigurisht por këta janë në krye të detyrës, në front, këta nuk mund ta lënë frontin e di që janë lodhur tash e gjashtë muaj përballen me këtë situatë unë jam sot këtu për të treguar vlerësimin tonë për punën që po bëhet… Gjendja është e rëndë, unë sot falënderoj qytetarët të gjithë që po i respektojnë masat, është ditë feste por si duket apeli që kemi bërë si qeveri bashkë me institucionet tjera dhe me akterët e tjerë të përfshirë në menaxhimin e kësaj situate kanë dhënë efekt. Unë shpresoj që të vazhdoj kjo gjendje që njerëzit plotësisht t’i respektojnë masat dhe të jenë të vetëdijshëm se jeta është mbi të gjitha sepse vetëm kështu ne mund ta menaxhojmë këtë situatë”, tha ai.
Kurse, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi tha se gjatë takimit e njoftuan kreun e ekzekutivit për planet dhe organizimet që po bëhen me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për pacientët e infektuar me COVID19.
E në këtë ditë feste ai apeloi të gjithë qytetarët që të festojnë me familjet e tyre në mënyrë që të krijohet mundësi që më vonë të festojmë të gjithë bashkë.
Krasniqi: I shpalosëm veprimet që i kemi marr në aspektin klinik
“Ne prezantuam situatën reale të cilën e kemi sa i përket aspektit klinik të pacientëve lidhur me veprimet që i kemi ndërmarrë për të krijuar kapacitetet shtesë me shtretër për të trajtuar pacientët me COVID si brenda klinikave universitare po ashtu edhe nëpër spitale regjionale, po ashtu edhe me veprimet që i kemi marr për të shtuar edhe numrin e stafit dhe personelit shëndetësor që janë duke trajtuar këta pacientë dhe veprimet e tjera logjistike në funksion të shërbimeve sa më kualitative për pacientët”, theksoi Krasniqi.
Drejtori i Institut Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani theksoi se vetëm duke u respektuar masat e parapara nga institucionet përgjegjëse mund të ulet lakorja epidemiologjike dhe të qetësohet situate.
Ramadani: Nëse i duam të afërmit, t’i respektojmë masat
“Nëse ne i duam të afërmit, familjet dhe qytetarët e këtij vendi na mbetet që çdo individ i këtij vendi duhet t’i përmbahet këtyre masave sepse janë e vetmja masë aktualisht në luftën kundër COVID19 që shpëton jetë dhe të ulë lakoren epidemiologjike dhe qetëson situatën dhe shkarkon shërbimet spitalore”, theksoi ai.
Ndërsa, drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha u shpreh se gjendja e pacientëve është e rënduar dhe pavarësisht përpjekjeve disa pacientë po e humbin betejën me koronavirus.
Derisa shprehu gatishmërinë për t’u dalë në ndihmë secilit pacientë, nga qytetarët kërkoi ndihmë në aspektin e respektimit të masave të rekomanduara nga IKSHP dhe qeveria.
Ajazaj-Berisha: Jemi krah qytetarëve, por edhe ata të na ndihmojnë me respektimin e masave
“Gjendja e pacientëve të cilët po vijnë nga terreni janë në një gjendje me manifestime të rënda klinike, me një ecuri të rëndë të sëmundjes në të cilat në disa raste edhe përkundër përpjekjeve tona me terapi intensive dhe përpjekjeve tona të vazhdueshme për fat të keq po përfundojnë me fatalitet. Prandaj, i lus të gjithë qytetarët që ndihmën më të madhe na japin nëse ata i respektojnë rekomandimet që jepen nga institucionet shëndetësore. Ne do të jemi krah tyre, por kërkojmë edhe ndihmën e tyre që bashkërisht t’ia dalim kësaj situate”, tha drejtoresha e Klinikës Infektive.
Vetëm dje pozitiv me COVID19 kanë rezultuar258 persona, ndërsa kanë vdekur 16 të tjerë./Tv Malisheva