Bullgaria prej tri javësh përjeton protesta kundër korrupsionit qeveritar, ngecjes së reformës në drejtësi dhe autoritarizmit.
Kryeministri Bojko Borisov këmbëngul se ai nuk do e japë dorëheqjen për t’i kursyer vendit kaosin politik në këtë kohë pandemie.
Mijëra qytetarë bullgarë vazhdojnë të protestojnë paqësisht për të tretën javë radhazi kundër qeverisë me bindjen se nuk kanë për t’u ndalur pa u plotësuar kërkesat e tyre.
Në objektivin e demonstratave antiqeveritare, siç transmeton Satndard njoftimet, qëndron largimit i kryeministrit, Bojko Borisov, dhe i kryeprokurorit të vendit, të akuzuar se nuk po veprojnë për të frenuar korrupsionin në vend.
Disa arterie rrugore të kryeqytetit Sofje u bllokuan të mërkurën duke penguar trafikun, teksa demonstruesit u frynin bilbilave dhe goditnin objekte metalike për të tërhequr vëmendjen.
Me parullat që shkruanin “dorëheqje” apo “Borisov, je turpi i vendit”, pjesëmarrësit e shpërfillën urdhrin e autoriteteve kundër tubimeve në këtë periudhë pandemie të kovidit të ri.Sipas protestuesve, qeveria është përgjegjëse për bllokimin e reformës në drejtësi, për mosluftimin e korrupsionit, për shkeljen e lirisë së fjalës dhe për lidhjet me grupet kriminale.
Kauzës së tyre iu bashkuan edhe grupe të ardhurish nga rrethinat e Bullgarisë, të cilëve iu kërkua të marrin me vete tenda, jorganë, ujë dhe ushqime në rast se protesta do të zgjatë.
Protestat u nxitën tri javë më parë kur kryeprokurori i vendit urdhëroi bastisjen e selisë presidenciale, ku kreu i shtetit, Rumen Radev, mban qëndrime kritike ndaj qeverisë.Ato vazhduan edhe pasi kryeministri Borisov ndërroi katër ministrat e vet për të zbutur disi tensionet, por zbulimi i politikave në interes të oligarkëve acaroi sërish opinionin publik.
Presidenti Radev i ka mbështetur thirrjet e protestuesve për largimin e 61-vjeçarit Borisov. Ky i fundit qëndron në pushtet prej vitit 2009 dhe pritet ta përfundojë mandatin e tretë marsin që vjen, ndërsa i ka refuzuar apelet për dorëheqje për të ruajtur vendin nga kaosi politik në këtë kohë krize epidemike.
Javën e kaluar, qeveria bullgare i mbijetoi një mocioni të pestë mosbesimi të ngritur nga opozita për shkak të korrupsionit masiv.
Sipas organizatës për Transparencë Ndërkombëtare, perceptimi për korrupsionin në Bullgari mbetet më i larti ndër vendet e BE-së 13 vite pasi vendi iu bashkua familjes europiane./Tv Malisheva