A njihni dikë që nuk është në gjendje të kontrollojë emocionet e veta?

Ndoshta ata thonë ose bëjnë vazhdimisht gjërat e gabuara, në kohën e gabuar, ose ndoshta janë gjithmonë gati për të gjykuar të tjerët, por vetë nuk mund t’i pranojnë kritikat.

Nëse këto përshkruajnë dikë që njihni, me siguri ai person përballet me një inteligjencë emocionale të ulët.

Por çfarë është inteligjenca emocionale?

Inteligjenca emocionale, e njohur ndryshe si EQ (emotional quotient) është aftësia për të kuptuar, përdorur dhe menaxhuar emocionet tuaja në mënyra pozitive, duke lehtësuar stresin, duke komunikuar në mënyrë efektive dhe duke patur sensin e empatisë për të kapërcyer sfidat dhe për të zgjidhur konfliktet (via HelpGuide).

Inteligjenca emocionale ju ndihmon të ndërtoni marrëdhënie më të forta, të keni sukses në shkollë dhe punë dhe të arrini qëllimet tuaja në karrierë dhe jo vetëm. Shumë ekspertë besojnë se EQ, është edhe më e rëndësishme se IQ (intelligence quotient).

Ka disa shenja që tregojnë se dikush mund të ketë një inteligjencë emocionale të ulët:

Duhet të kenë gjithmonë “të drejtë”

Njerëzit me EQ të ulët shpesh do të përpiqen të argumentojnë se kanë të drejtë deri në fund. Edhe nëse dikush e provon mendimin e tij me fakte, ata do të këmbëngulin tek e veta dhe do të thonë se faktet janë të gabuara. Duhet të fitojnë me çdo kusht dhe e shohin si të pamundur shprehjen: “biem dakord për të mos qenë dakord”.

Nuk i kushtojnë rëndësi ndjenjave të njerëzve të tjerë

Shumë njerëz me EQ të ulët janë të pavëmendshëm për ndjenjat e të tjerëve. Ata mund të duken të befasuar kur të kuptojnë se partneri apo bashkëpunëtori i tyre është i pakënaqur apo i mërzitur me ta. Përveç kësaj, ata do të duken të bezdisur kur partneri/bashkëpunëtori pret që ata ta kishin kuptuar këtë që në fillim.

Sillen në mënyrë të pandjeshme

Në pjesën më të madhe të kohës, njerëzit me EQ të ulët nuk kanë gjënë e duhur për të thënë. Shpesh thonë gjëra të papërshtatshme në momentin dhe vendin e gabuar. Mund të thonë diçka të pandjeshme në një funeral apo të bëjnë shaka menjëherë pas një ngjarjeje tragjike. Nëse reagoni, ata do të thonë se jeni shumë të ndjeshëm. Për shkak se kanë vështirësi të kuptojnë emocionet e te tjerëve, nuk është për t’u habitur që ata nuk janë në gjendje të interpretojnë situatat dhe të përgjigjen me tonin e duhur të zërit.

Ata fajësojnë të tjerët për problemet e tyre

Një person me inteligjencë të ulet emocionale nuk do të mbajë kurrë përgjegjësi për veprimet e tij dhe pasojat që ato sjellin. Kur diçka shkon keq, reagimi i tyre i parë është t’i hedhin fajin dikujt apo diçkaje tjetër. Shpesh mund të thonë se s’kishin zgjidhje tjetër dhe se të tjerët nuk e kuptojnë situatën e tyre, p.sh: nëse ata ju lexojnë bisedat tuaja personale, është faji juaj që e latë telefonin pa një fjalëkalim.

Kanë paaftësi për të përballuar situata të caktuara

Njerëzit me EQ të ulët janë të paaftë për të përballuar situata me ngarkesë emocionale. Emocionet e forta, qofshin ato të vetë personit ose të të tjerëve, janë të vështira të kuptohen nga ata me inteligjencë të ulët. Këta individë shpesh do të largohen nga këto situata, për të mos u marrë me pasojat emocionale. Fshehja e emocioneve të tyre të vërteta është gjithashtu shumë e zakonshme.

Kanë shpërthime emocionale

Aftësia për të rregulluar emocionet është një nga komponentët e inteligjencës emocionale. Njerëzit me EQ të ulët shpesh luftojnë për të kuptuar dhe kontrolluar emocionet e tyre. Ndonjëherë ata mund të mos e kuptojnë se çfarë po ndjejnë në të vërtet ose pse janë aq të mërzitur. Një person, të cilit i mungon EQ, mund të ketë shpërthime emocionale të papritura që duken të mbingarkuara dhe të pakontrollueshme.

Kanë probleme me marrëdhëniet sociale

Njerëzit me EQ të ulët shpesh kanë shumë pak miq të ngushtë, për shkak se miqësitë e ngushta kërkojnë një sasi të njëjtë dhënie-marrjeje, ndarje emocionesh, mbështetje emocionale etj, karakteristika që individët me EQ të ulët, zakonisht nuk i kanë.

E bëjnë çdo bisedë për veten

Njerëzit pa EQ, kanë tendencë të “mbizotërojnë” biseden dhe të kthejnë çdo gjë nga vetja. Zakonisht, e kanë të nevojshme të dëshmojnë se çdo gjë që po përjeton personi tjetër, ata e kanë patur shumë më mirë ose shumë më keq se ata. Pavarësisht se çfarë ti thua, ata kanë qenë atje përpara teje dhe e kanë bërë diçka përpara teje. Nëse ju keni bërë një aksident me makinë, e kanë bërë dhe ata. Do të ngjisni malin Kilimanxharo? Ata kanë ngjitur malin Everest, katër vite më parë. Mund t’ju japin dhe disa këshilla nëse doni.

Nëse e gjeni veten tek disa prej këtyre pikave, ose njihni dikë të ngjashëm me këto sjellje, ju mund të filloni të punoni për ta përmirësuar këtë aspekt të vetes dhe/ose të ftoni dikë tjetër të bëjë të njëjtën gjë. Mprehja e kësaj “aftësie” mund të përmirësojë marrëdhëniet tuaja personale dhe profesionale./Tv Malisheva

Share.