Shkollat në Indi janë duke u përballur me vështirësi gjatë mësimit përmes platformave online, ku për shkak të pandemisë, janë të detyruara të qëndrojnë të mbyllura. Por një qytet që gjendet në pjesën e Kashmirit të administruar nga India ka gjetur një zgjidhje brilante për këtë problem, shkruan BBC.

Çdo mëngjes, studentët në Doodpathri, që është një qytet në distriktin Budgam, ecin nëpër ura dhe lumenj, deri në kodër për të vijuar mësimin në shkollën e tyre të re, që gjendet në një vend piktoresk, ku në sfond shihen malet e bukura të Himalajës. Shkolla në ambient të hapur është një lajm i mirë dhe freskim si për prindërit ashtu edhe për nxënësit, pas qëndrimit disamujor në izolim si masë për frenimin e shpërndarjes së pandemisë Covid-19. Ky shtet ka raportuar më shumë se 19.00 raste me virus, si dhe 365 vdekje.

Zgjidhje ideale

“Shumë më mirë është që fëmijët tanë të vijojnë mësimin në këto shkolla sesa të qëndrojnë në shtëpi, ku zakonisht përfundojnë duke e frustruar vetveten”, thotë Mushtaq Ahmad, i biri i të cilit është duke shkuar në shkollën që gjendet në ambient të hapur.

Zyrtarët duhet të bashkëpunojnë me banorët lokalë që të ndërtojnë sa më shumë shkolla sipas këtij modeli, ka shtuar ai. Pavarësisht marrëdhënies së ndërlikuar të Kashmirit me Indinë dhe rasteve të dhunës që ndodhin në këtë regjion herë pas here, ky vend ka qenë një atraksion për turistët për një kohë të gjatë, për shkak të bukurive natyrore që posedon.

Dhe Doodpathri vetvetiu është një stacion i njohur i kodrës ku gjendet shkolla e re. Prandaj, në mungesën e turistëve gjatë kësaj vere, banorët lokalë kanë kërkuar nga zyrtarët që ta shfrytëzojnë hapësirën e mahnitshme për nevoja të tjera.

“Orët mësimore që mbahen në këto klasa janë në përputhje me respektimin e masave të sigurisë”, ka thënë Mohammad Ramzan Wani, një zyrtar i edukimit, i cili ka ndihmuar në krijimin e shkollës së komunitetit. Ai ka shtuar se “për shkak të temperaturave të larta që janë të paparashikueshme në këtë zonë, ne kemi vendosur edhe tenda për mbarëvajtjen e orëve mësimore”.

Nxënësit indianë, sidomos ata që jetojnë në zona rurale dhe vijojnë mësimin në shkolla me financim të dobët nga qeveria, kanë hasur vështirësi në qasje në mësimet online, për shkak të rrjetit të dobët të internetit dhe mungesës së telefonave të mençur në shtëpitë e tyre.

Madje edhe në shkollat private vendimi për mbajtjen e mësimit në platforma elektronike ka krijuar ndarje ndërmjet studentëve që kanë më shumë se një pajisje elektronike në shtëpi, si për shembull laptop, iPad dhe telefona të avancuar dhe atyre që nuk kanë asnjë pajisje të tillë/TVMalisheva

Share.