Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka pranuar pajisje shtesë, pjesë e donacionit prej 5 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, për trajtimin e pacientëve të prekur me koronavirus.
Pakoja e fundit e ndihmës kap vlerën e 900 mijë eurove dhe përmban 30 ventilatorë, 200 pulsi-oksimetër e 20 makina elektrokardiografike, të cilat i ka dorëzuar zëvendësambasadori i BE-së në Kosovë, Riccardo Serri.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, deklaroi se pajisjet e ardhura do t’i japin shtytje riorganizimit që ka nisur brenda institucioneve shëndetësore.
“Këto pajisje do të na ndihmojnë shumë në riorganizimin, që po e bëjmë bashkë me SHSKUK-në për t’i ndihmuar qytetarët, të cilët po përballen me pandeminë COVID-19”, tha ai.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, e ka vlerësuar lart kontributin e BE-së për Kosovën në luftën me pandeminë COVID-19.
“BE e ka ndihmuar Kosovën jo vetëm me pajisje, por edhe në forma tjera. Kërkoj, sërish, që të respektohen masat dhe rekomandimet e institucioneve, në mënyrë që sa më pak të përdoren këto mjete”, tha Krasniqi./Tv Malisheva