Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) i bëri thirrje Rusisë të martën të ndiqte udhëzimet ndërkombëtare në prodhimin e vaksinave antiCOVID-19, pasi vendi tha se do të fillojë vaksinimin e popullatës së saj kundër koronavirusit në tetor.
“Ndonjëherë studiuesit individualë pretendojnë se kanë gjetur diçka, që natyrisht është një lajm i jashtëzakonshëm,” tha zëdhënësi i OBSH Christian Lindmeier për media.
“Por ekziston një ndryshim i madh midis gjetjes ose indikacioneve se një vaksinë po funksionon dhe një vaksinë që ka kaluar të gjitha fazat,” shtoi ai.
Vaksina ruse nuk është në listën e OBSH-së me gjashtë vaksina që kanë arritur në fazën e tretë të provave klinike.
Autoritetet shëndetësore ruse njoftuan të shtunën se po përgatiten të fillojnë vaksinimet masive kundër koronavirusit në tetor.
Vaksinat së pari do të jenë për mjekët dhe profesorët, pastaj për pjesën tjetër të popullatës
Ministri i Shëndetësisë Mihail Murasko tha se prova klinike e vaksinës e zhvilluar në Rusi ka përfunduar dhe se miratimi i saj është duke u përgatitur.
Deri më tani, Rusia nuk ka dhënë të dhëna shkencore mbi këtë vaksinë për vlerësim të pavarur.
Instituti i Kërkimeve Gamaleya i Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë në Moskë njoftoi në maj se kishte zhvilluar një vaksinë, për të cilën thotë se krijon imunitet ndaj koronavirusit pa efekte anësore negative.