Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka parashikuar mundësin e vërshimeve në pjesën më të madhe të vendit, për shkak të reshjeve të shiut, që pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Këto vërshime të mundshme, hyn në kategorinë e përmbytjeve të shpejta, dhe mundë të shkaktojnë dëme në fusha bujqësore apo në ekonomi familjare dhe biznesore.

Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), thotë se vërshimet e paralajmëruara nga IHK, duhet të trajtohen seriozisht nga institucionet emergjente të Republikës së Kosovës, me qëllim marrjen me kohë të masave të duhura preventive, në mënyrë që dëmet e mundshme në rast të këtyre vërshimeve të jenë sa më të vogla.

“Ndërsa në raste nevoje, institucionet komunale në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), duhet t’i vënë në dispozicion resurset e nevojshme, në mënyrë që t’i dilet në ndihmë popullatës së rrezikuar nga vërshimet e mundshme. Siguria e qytetarëve dhe ruajtja e pronave të tyre është primare’, tha ai.

Share.