Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me nënkryetarin, Nuredin Lushtaku dhe drejtorët komunal, sot kanë vizituar fabrikën e përpunimit të mishit të rosës, “WENG FAT POULTRY” Sh.P.K, fabrikë kjo e themeluar si shoqëri aksionare, me një aksionar holandez, një gjerman dhe dy shqiptar, dhe kështu biznesi i pari në Kosovë që eksporton produkte të mishit në tregun evropian.

Me këtë rast Kryetari Jashari u shpreh i lumtur që pas shumë vështirësive është hapur kjo fabrikë që do t’i punojë deri në mbi 100 punëtorë në komunën e Skenderajt.

“Përderisa si pasojë e pandemisë fatkeqësisht kemi shuarje të bizneseve jo vetëm në Kosovë por në të gjitha shtetet, sot në Skenderaj po fillon punën një fabrikë me rreth 40 punëtor, në fazën e parë, ku shumica prej tyre janë gra dhe ky fakt me gëzon dhe me shumë sepse me ketë po fuqizohet edhe pozita e gruas në shoqëri”, tha kryetari Jashari.

Nga ana tjetër, drejtori i fabrikës, Xuong mu Phung, falënderoj Kryetarin Jashari , për tërë përkrahjen e pa rezervë dhënë kësaj fabrikë, deri në jetësimin e saj, ku sipas tij me gjithë sfidat e mëdha që kanë pasur deri ne liçencim për eksportim jashtë vendit, kryetari Jashari ka qenë një mbështetës i madh i këtij projekti.

Ai po ashtu falënderoj Kryetarin Jashari edhe për dhënien e pronës komunale për 99 vite dhe rregullimin e infrastrukturës përcjellëse, duke vlerësuar se përkrahje e kryetarit Jashari është shembull dhe motiv edhe për bizneset tjera që dëshirojnë të investojnë në Kosovë.

Kryetari Jashari, me stafin e tij dhe drejtuesit e biznesit, Xuong mu Phung, Adem Yildiz, Avdi Tahiraj dhe Isa Tahiri shikuan për së afërmi procesin e përpunimit të mishit të rosës nga përgatitja për pjekje e deri tek paketimi për eksport.

​Jashari në fund përgëzoi stafin e fabrikës dhe punëtorët për fillimin e mbarë, duke uruar zgjerim të biznesit, për të arritur pritjet e fabrikës për punësimin e mbi 150 qytetarëve të komunës së Skenderajt.

Share.