Për numrin e bizneseve të mbyllura dhe numrin e punëtorëve që kanë humbur vendet e punës në pandemi, drejtori ATK-së Ilir Murtezaj ka thënë se ende nuk ka të dhëna zyrtare për këto dëme të shkaktuara nga Covid-19.
Derisa ka thënë se qarkullimi i bizneseve nga marsi deri në qershor ka rënë për 833 milionë euro.
Drejtori i ATK-së, ka thënë se mund të ketë biznese që kanë pushuar aktivitetin e tyre, por zyrtarisht janë biznese aktive dhe nuk kanë parashtruar kërkesë për mbyllje të bizneseve.
Murtezaj: Është ende herët të dihen shifrat për bizneset e mbyllura dhe rënie të punësimit
“Bizneset e falimentuara, realisht nuk kemi një proces i cili mund të pasqyrojë, sepse është një periudhë ende e shkurtë që bizneset edhe të fillojnë të mbyllin proceduralisht veprimtaritë ose aktivitetet e tyre. Mund të ndodhë që kanë pushuar aktivitetin, por zyrtarisht janë biznese aktive dhe nuk kanë parashtruar kërkesë për mbyllje të bizneseve. Pritjet janë që do të kemi në periudhën e dytë të vitit nëse veç vazhdon kjo krizë e rëndë ekonomike. Mirëpo, duke shpresuar në planin e qeverisë për rimëkëmbjes ekonomike dhe zbatimin e plotë të pakos emergjente fiskale, shpresat janë që të ringjallet sado pak qarkullimi tek bizneset dhe konsumi. Andaj në këtë drejtim është ende herët të nxirët një konstatim se sa është realisht efekti si në rënie të shifrave të të punësuarve, po ashtu edhe te bizneset e mbyllura”, theksoi Murtezaj.
Këto komente drejtori i ATK-së i bëri gjatë prezantimit të aktiviteteve të zhvilluara dhe rezultatet e arritura të ATK-së për gjashtë mujorin e parë të këtij viti.
Drejtori i ATK-së po ashtu tha se efektet negative të pandemisë janë edhe në qarkullimin financiar të bizneseve, që sipas tij janë mjaft të mëdha.
Murtezaj: Rënia e qarkullimit të bizneseve ka rënë për 833 milionë euro
“Nga marsi deri në qershor të vitit 2020 kemi pasur një rënie të qarkullimit në vlerë prej 833 milionë euro. Shumë kjo e konsiderueshme, në përqindje kemi rreth 22 përqind rënie të qarkullimit në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Dhe bazuar në tatim brenda vitit, është rreth 5 përqind dhe rezulton që kemi një krijim të detyrimit tatimor diku mbi 42 milionë euro”, tha ai.
Murtezaj ka thënë se pjesa e parë e këtij viti ishte me shumë sfida si në fushën e shëndetësisë e po ashtu edhe në ekonomi.
Ai tha se të hyrat nga tatimet janar-qershor të këtij viti janë 215.9 milionë euro, ndërsa kontributet pensionale 83.1 milionë euro. Kurse në këtë periudhë të pandemisë ka një rënie të të hyrave përreth 23. 5 milionë euro.
Murtezaj: 23.5 milionë euro kemi më pak të hyra në ATK
“Në vitin 2020 për shkak të pandemisë Covid-19 kemi pasur një rënie të të hyrave në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për 23.5 milionë euro… Me fillimin e pandemisë prej datës 12 mars përkatësisht reflektimi tek ne ka filluar të ndihet pas datës 20 mars, ku kemi pasur një rënie të të hyrave në muajin mars dhe prill. Në muajin mars të hyrat kanë qenë 20.6 milionë euro, ndërsa plani ka qenë 33 milionë euro. Në muajn prill kemi 29.8 milionë euro të të hyra, ndërsa plani ishte mbi 40 milionë euro”, theksoi Murtezaj.
Ndërsa në maj ATK ka filluar t’i kthehet normalitetit të të hyrave, ku të hyrat për këtë muaj kanë qenë 39. 3 milionë euro, ndërsa është arrit që të kalohet plani për maj duke inkasuar 4.5 milionë euro më tepër sesa plani.
Si rezultat i rrethanave të krijuara pas 13 marsit kur u paraqiten rastet e para me COVID-19, Murtezaj tha se ATK ishte në mbështetje të plotë të Qeverisë, bizneseve dhe punëtorëve.
Ndërsa, denoncime nga qytetarët për rritje të çmimeve nga bizneset në kohë pandemie, ATK-ja ka pranuar mbi 11 mijë denoncime, 4 mijë prej tyre kanë vetëm për ngritje të çmimeve, për të cilat ATK ka marrë masa.
I pari i ATK-së po ashtu ka thënë se në këtë periudhë është bërë edhe parandalimi dhe luftimi i ekonomisë jo-formale.
Me planifikim të buxhetit të rishikuar është paraparë që ATK-ja të inkasoj vetëm 2,5 përqind më pak me planin vjetor, që sipas Murtezajt oshte dashur që parashikimi të jetë edhe më i ulët për shkak të aktivitetit të bizneseve në pandemi./Tv Malisheva