Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), së bashku me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës (ShSK), nënshkruan sot kontratë bashkëpunimi, me qëllim që t’u ndihmohet gazetarëve në Prishtinë, marrë parasysh se që nga fillimi i pandemisë, Komuna e Prishtinës është ballafaquar me numrin më të lartë të rasteve të infektuar me Covid 19.

AGK thotë se në donacionin e siguruar nga ShSK-ja, bëjnë pjesë 15 mijë maska, 3 mijë dezinfektues, 100ml dhe 300 dezinfektues 1l.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina, e vlerësoi të një rëndësie të veçantë këtë ndihmë të ShSK-së, për t’i mbrojtur gazetarët, të cilët edhe ashtu ballafaqohen me probleme të shumta, jo vetëm financiare. Sipas saj, mbrojtja e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve, kontribuon jo vetëm në mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe funksionimin e medies, por edhe në informimin e saktë dhe në kohë reale te qytetarët e Republikës së Kosovës.

Teksa, drejtori i ShSK-së, Sami Mazreku, u shpreh i përkushtuar të thellojë bashkëpunimin me AGK-në, me ç’rast theksoi gatishmërinë që AGK së bashku me ShSK-në të organizojnë trajnime vjetore për gazetarët që raportojnë për ekonomi dhe po ashtu t’i shpërblejnë gazetarët përvjetshëm me tri çmimet për storiet më të mira.

“Sa i përket procedures së shpërndarjes, AGK posedon listat e kolegëve tanë që punojnë në terren dhe të cilët janë furnizuar me pako mbrojtëse gjatë donacionit të parë. Për tërheqjen e pakove të reja, të njëjtit do të njoftohen me kohë”, thuhet në njoftim.

AGK do ta vazhdojë angazhimin drejtë sigurimit të donacioneve tjera, në mënyrë që të ndihmohet komuniteti që përfaqësojmë dhe kolegëve tanë t’iu lehtësohet sado pak puna përgjatë pandemisë./Tv Malisheva

Share.