Karriera dhe ndërtimi i saj mund të duken rrugëtim i gjatë i cili duhet çdoherë të planifikohet dhe studiohet mirë, pasi që profesioni është baza mbi të cilën njeriu e ndërton të ardhmen e tij. Mirëpo, ndonjëherë jeta mund të ndërrojë diku kahjen e orientimit profesional dhe të çojë në rrugë të cilat jo rrallëherë mund të jenë rrugë të suksesit dhe realizimit të ëndrrave. Këto rrugë, bëhen edhe më interesante atëherë kur gjërat ndodhin papritur dhe nuk planifikohen paraprakisht.
Sofie Thaçi-Havolli është një ndër regjisoret e suksesshme në Kosovë me mbi 40 vite përvojë pune në regji dhe medie. Karrierën e saj e ka plotësuar secilin vit me më shumë suksese së tjetrin. Ajo është gruaja që qëndron prapa një numri emisionesh të dashura e shumë të shikuara nga audienca kosovare.
“Rrugëtimi im si regjisore nuk ishte ëndrra ime por ëndrra ime lidhej me artin medoemos. Kam qenë gjithmonë e mirë në vizatim dhe muzikë, jam shpërblyer edhe në gara të nivelit më të lartë jashtë shkolle, prandaj karriera e ëndrrave do të lidhej me artin gjithsesi”, rrëfen fillimisht Sofie Thaçi-Havolli.
Sofie Thaçi-Havolli u rrit në lagjen Pejton në Prishtinë. Ndonëse kishte talent në art dhe aty afër shtëpisë së saj ndodhej objekti i Radio Prishtinës (sot Radio Kosova), përfshirja e saj në botën e medias ndodhi krejt rastësisht.
“Kisha një shoqe që punonte për Radio Prishtinën. Një ditë, shkova bashkë me të dhe po të njëjtën ditë kishe edhe një audicion për gazetarë – moderatorë në programin e dytë të Radio Prishtinës. Derisa pinim kafe, për një çast mbeta vetëm. Aty hyri kompozitori i njohur Akil Koci dhe me tha: “vajzë ata kanë filluar me audicionet”. Nuk arrita t’ia shpjegoja dot se nuk kisha ardhur për audicione dhe përfundova duke e lexuar një tekst. Unë mendova që e hoqa qafe por jo, kisha hyrë në rrethin e ngushtë, ndër tre më të mirët”
Ky audicion krejt i rastësishëm, rezultoi shumë i suksesshëm. Asaj ju ofrua mundësi punësimi dhe ju dha nën udhëheqje një emision i titulluar “Në valën 280,5′ në Radio Prishtinë, emision ky që zgjaste për rreth një orë.
Në vitin 1974, drejtoria e radios e transferon në Televizionin e Prishtinës, në mënyrë që me përvojat e saj të kontribuoi në formimin e televizionit. Dy vite më pas, Sofie Thaçin e dërgojnë në TV Beograd që të specializohet edhe si makeup artiste.
“Në televizionin e Prishtinës fillimisht kishim një sallë ku ishin të gjitha redaksitë, ndërkaq lajmet transmetoheshin nga Shkupi. Pas një viti startuam me emetimin e programit nga studiot tona në TVP. Me rritjen e televizionit, shtohej edhe nevoja për t’i aftësuar punëtorët. Në vitin, 1976 me dërguan në TV Beograd që të specializohem për makeup artist, pastaj vazhdova si makeup artiste në projektet e TV Prishtinës, Kosovafilm dhe teatër”
Pas asaj periudhe, Sofie Thaçi – Havolli transferohet në regji dhe që prej asaj kohe punoi si makeup artiste, asistente e regjisë dhe regjisore në disa projekte.
Disa prej tyre:
- Rropullari – (Dramë) TVP
- Një jetë e terë – (Dramë) TVP
- Epoka para gjyqit– (Dramë) TVP
- Kopshti i pleqërisë– (Dramë) TVP
- Kur pranvera vonohet – (Film ) KosovaFilm
- Era dhe Lisi – (Film) KosovaFilm
- Njeriu prej dheut– (Film) KosovaFilm
- Proka – (Film) KosovaFilm
- Pikniku– (Film) KosovaFilm
- Fidani – (Serial për fëmijë) – TVP
- Nën qarr po flinte vasha – (Film ) TVP
Karriera e saj pasurohet edhe me emisionet humoristike si “Autousi”, “Pa pengesë, “Treshi Persheshi”. Me kalimin e viteve, angazhohet edhe si asistente e festivalit “Akordet e Kosovës” dhe si asistente e regjisë në festivalin “Jugovizija”, festival që në vitin 1986 u caktua të mbahet në Prishtinë. Në këtë festival shpallej interpretuesi më i mirë që do përfaqësonte atëbotë Jugosllavinë në festivalin evropian të këngës “Eurovision”.
Me përvojë në të gjitha profilet apo sektoret e televizionit, teatrit e filmit, regjisori Besim Sahatçiu i njohur sot edhe si gjyshi i këngëtarës me famë botërore Rita Ora e propozoi të punonte si regjisore në emisionin zbavitës “Në orët e vona”, me autor Florin Kelmendi, emision që emetohej çdo të shtunë dhe përveç bisedes në studio, transmetonte edhe skeqe dhe spote.
Sofie Thaçi – Havolli ishte edhe regjisore e tre spoteve të para të realizuara në Kosovë të këngëtarëve dhe këngëve shumë të njohura edhe ditët e sotme si: “Burek, burek” nga Sinan Vllasaliu, “Në tren për Prizren” nga Migjen Kelmendi dhe “Romantika” nga e ndjera Violeta Rexhepagiqi.
Që nga viti 2000 angazhohet si regjisore në Radio Televizionin 21, ku përveç që realizoi edicionin e parë të lajmeve të transmetuar direkt në RTV21, ajo punoi në gjithë emisionet e para të prodhuara në studiot e RTV21 si në emisionet informative, kulturore e zbavitëse, si dhe kontribuoi në aftësimin e të rinjve që vinin në këtë medie
Që nga fillimi i programit 24 orë të transmetimit televiziv, Sofie Thaçi – Havolli u angazhua në programin e paradites në këtë medie duke filluar nga realizimi i edicioneve të shkurta informative “Flash News” që transmetohen çdo orë drejtpërdrejt si dhe programin e mëngjesit “Për ditë të mbarë” po ashtu drejtpërdrejt në zgjatje prej 2 orë.
Gjatë orarit të saj të punës, sipas kërkesës së departamentit të produksionit ajo angazhohet edhe në realizimin e emisioneve tjera kryesisht për redaksinë e lajmeve dhe ato kulturore.
Vetitë për sukses në karrierë
Njohuritë në shumë profile, dashuria dhe vullneti për punë, janë disa nga karakteristikat që Sofie Thaçi Havolli thotë se e kanë ndihmuar të arrijë suksesin në karrierën e saj si regjisore. Por ndër kryesoret, ajo përmend përgjegjshmërinë në punë.
“Dëshira për punë dhe të punohet si ditën e parë kur ke filluar një punë është çelësi i suksesit. Parim apo rregull e kam të mos vonohem për në punë. Vetëm njëherë më ka ndodhur të mos më bëj alarmi, por as atëherë nuk jam vonuar, veç kam mbetur pa e pirë kafen e mëngjesit. Pra një orë më herët shkoj në punë, këtë e kam amanet prej babait tim. Puna rutinore nuk çon kah suksesi”
Me teknologjinë e re e cila dallon shumë nga ajo me të cilën punohej më parë, Sofie Thaçi thotë se nevojitet vetëm dashuria për punë dhe përfitim i përvojave. Ndërkaq, sa i përket regjisë në televizion, ajo e përshkruan si një punë sfiduese ku ndonjëherë nevojiten aftësi për manovrime të momentit.
“Regjia televizive direkte është përplot adrenalinë, nuk ta falë minutën. Në teatër, lexojnë dhe ushtrojnë me muaj e pastaj dalin në skenë. Edhe në film, fillimisht mëson dialogun, pastaj bëhen disa ushtrime, disa dubla. E në televizion është krejt e kundërta. Nuk ka dubla, përveç storjeve e reportazheve që janë të xhiruara, në emisionet e drejtpërdrejta edhe regjisori televiziv e ka më të vështirë. Aty për aty mund të ndodhë ndonjë gjë e paparashikueshme, detyrohemi ta mbulojmë me diçka jashtë skenarit që shikuesi të mos e vërejë”
RTV 21 dhe kolegët nga të cilët ka pasur mbështetje të vazhudueshme e kanë bërë ta dojë më shumë punën dhe të ndihet si në familje. Ndërkaq, thekson se ndjehet me fat që ka punuar me regjisorë të njohur si Muharrem Qena, Besim Sahatçiu, Ekrem Kryeziu, Isa Qosja, Selami Taraku, Emin Halili etj, nga të cilët ka mësuar shumë për ta formuar veten.
Si është një ditë pune e Sofie Thaçit?
Një ditë pune dallon për secilin njeri dhe nga secili profesion. Për Sofie Thaçin dita nisë në ora 5 të mëngjesit. Ndërkaq, në punë shfaqet në ora 6 e 30 ndonëse punën zyrtarisht e fillon prej orës 7:00 të mëngjesit.
Fillimisht, ajo kontrollon pjesën teknike nëse gjithçka është në rregull, më pas bëhet përgatitja e listës dixhitale për transmetim të materialeve gjatë programit të mëngjesit sipas radhitjes së skenarit, duke vazhduar pastaj realizimin ditor sipas skemës programore. “Në orën 15 e 10, punët e regjisë i lë në një sirtar dhe vazhdoi jetën time private me fëmijët e mi”
Tre fëmijët e saj Zana, Ariana dhe Ariani, e kanë trashëguar nga e ëma talentin në art. Madje, Ariana dhe Ariani karrierën e tyre e kanë të fokusuar në kamerë dhe regji, e Zana vizatimet i ka pjesë të përditshmërisë. Personi që i jep motivin, energjinë dhe relaksin pas çdo dite pune është nipi i saj Arti, të cilit jo rastësisht thotë se ia kanë venë emrin Art.
Si shembuj të jetës, ajo përmend dy figura shumë të rëndësishme në jetën e saj. “Model për ta menaxhuar jetën private ishte babai im me këshillat e tij dhe burri im i ndjerë, dashuria për familje dhe humori i pashoq i të cilit do të më përcjellin përjetësisht”
“Suksesi vjen kur puna lidhet me dashuri”
Sipas Sofie Thaçi – Havollit, praktika është esenciale për t’i thelluar dhe përvetësuar njohuritë në një profesion. Krejt në fund, ajo pati një këshillë për gjeneratat e reja që shumë shpejt mund të përfshihen në treg të punës.
“Përmes punës praktike, ju njihni skenografinë, ndriçimin, grimin, maskën, tonin, montazhën dhe se si shkrihen e funksionojnë të gjitha këto bashkë. Kur i mësoni të gjitha këto, edhe suksesi do të jetë më pranë. Të rinjtë sot kryesisht po interesohen vetëm për një rrogë dhe kjo është e dhimbshme. Këshilla ime do të ishte, punën lidheni me dashuri, ndërkaq pagën me kompaninë”, përfundoi ajo./Tv Malisheva