Kanë dështuar bisedimet mes zyrtarëve të lartë amerikanë në Kongres rreth pakos ndihmëse për rimëkëmbjen ekonomike pas krizës së shkaktuar nga koronavirusi.
Demokratët dhe republikanët vazhdojnë të mbajnë qëndrime të ndryshme për shumë çështje, përfshirë përfitimet e personave që kanë mbetur pa punë, ndihmën financiare për shkolla dhe dhurimin e mjeteve për shtete.
Shkalla e papunësisë në Shtetet e Bashkuara është 10.2 për qind, që është shifër më e lartë sesa gjatë krizës financiare të vitit 2008.
Dështimi për arritje të marrëveshjes do t’i zhgënjejë dhjetëra miliona amerikanë, të cilët i kanë marrë nga 600 dollarë në javë gjatë pandemisë. Afati i këtyre pagesave skadoi muajin e kaluar dhe republikanët duan që ato të zvogëlohen.
Të premten, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, mbajti një takim me sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin, dhe shefin e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows.
Ajo tha gjatë një konference për gazetarë se është e gatshme të ofrojë një kompromis prej një trilion dollarësh rreth pakos prej 3.5 trilionë dollarësh, të miratuar nga institucioni që ajo e udhëheq, por të refuzuar nga Senati me shumicë republikane.
“Ne zbresim për një trilion, ju ngriteni për trilion. Kemi përgjegjësi morale për të gjetur pika të përbashkëta”, tha Pelosi para gazetarëve.
Sidoqoftë, republikanët parapëlqejnë një pako prej një trilion dollarësh dhe duan që në marrëveshje të përfshihet mbrojtja ligjore e punëdhënësve nga pretendimet shëndetësore rreth virusit, të bëra nga punëtorët./Tv Malisheva