Ministria e Financave nga e hëna do të nisë ekzekutimin e pagesave për qytetarët dhe bizneset për muajt e papaguar. Kështu ka bërë të ditur ministrja e Financave, Hykmete Bajrami përmes një statusi në Facebook.
Ajo ka thënë se thesari dhe Departamenti i Buxhetit po bëjnë të gjitha përgatitjet që nga e hëna të fillojnë ekzekutimin e pagesave nga Pakoja Emergjente për qytetarët dhe bizneset.
Ky është statusi i saj i plotë:
Në Ministrinë e Financave po punohet pa orar. Thesari dhe Departamenti i Buxhetit po bëjnë të gjitha përgatitjet që nga e hëna të fillojnë ekzekutimin e pagesave nga Pakoja Emergjente për qytetarët dhe bizneset.
Javën që po vjen do t’i ekzekutojmë të gjitha mjetet për muajt e papaguar bazuar në Pakon Emergjente.
Ju kërkojmë falje qytetarëve dhe bizneseve për vonesat pasi ishte pamundshme të kryheshin pagesat pa u rishikuar buxheti.
Falënderoj stafin e Ministrisë së Financave, të cilët po punojnë pa orar dhe kanë punuar gjithë kohën e pandemisë duke vënë edhe shëndetin në rrezik. Disa punëtorë të Ministrisë kanë rezultuar pozitiv me virus dhe ju urojmë shërim të shpejtë!
Hykmete N. Bajrami