Pas kritikave se po ka pak testime për COVID-19, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike e ka rritur numrin e testimeve. Që nga fillimi i pandemisë, sot është regjistruar numri i madh i testimeve. Instituti ka publikuar rezultatet për mbi 500 mostra.

Në raportin 24 orësh të IKSHP’së, thuhet se nga testimi i këtyre mostrave, kanë rezultuar pozitive 172 mostra, të cilat janë marrë nga QKUK’ja, spitalet rajonale dhe gjurmimi i kontakteve në terren.

Rastet pozitive janë nga Prishtina, Gjilani, Mitrovica, Fushë Kosova, Peja, Vitia, Skenderaj, Drenasi, Obiliqi, Vushtrria, Kamenica, Lipjani, Podujeva, Rahoveci, Ferizaj, Gjakova, Istogu, Klina, Prizreni dhe Shtimja.

Me këtë shifër, numri i rasteve të konfirmuara që nga fillimi i pandemisë, ka arritur në rreth 10 mijë e 500, pas testimit të mbi 41 mijë mostrave.

Deri tash, betejën me këtë sëmundje e kanë fituar mbi 4 mijë pacientë, derisa janë regjistruar 314 raste të vdekjeve, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndryshe, deputeti nga radhët e PDK’së, Bekim Haxhiu ka thënë se IKSHKP ka kapacitetet për t’i kryer nga 700 deri 1000 teste.

Sipas tij, kjo është bërë për shkak të investimeve që ka bërë ministria në kohën sa ka udhëhequr PDK, e pse nuk po shfrytëzohen këto kapacitete, sipas tij, duhet pyetur ministria./Tv Malisheva

Share.