Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi gjatë ditës së sotme ka vizituar komunën e Malishevës.

Ajo fillimisht është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj ku biseduan për projektet të cilat pritet të finalizohen në këtë komunë.

I pari i kësaj, pas takimit u shpreh se komuna që ai udhëheq ka shumë nevojë për mbështetje për shkak që nuk ka trashëguar asgjë nga e kaluara.

Begaj: Kemi nevojë për mbështetje

“Biseduam brenda në zyre për shumë projekte që ka Malisheva. Malishevës i duhet një përkrahje e jashtëzakonshme për arsye se ka qenë komuna e cila nuk ka pasur asgjë të trashëguar nga e kaluara. Kemi pasur vazhdimisht përkrahje dhe jam shumë i bindur që ministrja do ta ketë parasysh të gjitha ato projekte”, ka thënë Begaj.

Ndërkohë që ministrja Vlora Dumoshi u shpreh se mbështetja për këtë komunë do të jetë më e madhe se që ka qenë në të kaluarën, duke parë edhe nevojën e madhe për hapësira sportive dhe kulturore të qytetarëve.

Dumoshi: Malisheva do të ketë përkrahjen e MKRS-së

“Ne Malishevën e njohim vetëm me një pishinë e cila ka qenë në fshatin Bajë. Tash me MKRS-në, ne i kemi disa projekte, të cilat janë të parapara në vitin 2020/2021. I kemi shtigjet e atletikës. E dimë që komuna e Suharekës ka një histori prej vitit 1999, ku siç zoti Mazrekaj e ka themeluar klubin e atletikës… Sa i përket stadiumit të futbollit, ai ka nevojë edhe për një stadium ndihmës për të cilin biseduam me kryetarin”, tha Dumoshi.

Dumoshi dhe Begaj vizituan edhe stadiumin e qytetit të Malishevës. Nga aty Dumoshi bëri thirrje që kuvendi komunal i kësaj komune të bashkëpunojë më shumë në të ardhmen, duke shtyrë përpara projektet e përbashkëta të kësaj komune me MKRS-në.

Dumoshi: Asamblistët të mbështesin kryetarin Begaj në projektet që duhet realizuar

“Me këtë rast i bëj thirrje si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit edhe kuvendit komunal, asamblistëve të kësaj komune, të cilët kanë ardhur me votën e qytetarëve dhe atyre për të ngritur zërin dhe për të përmbushur kërkesat e qytetarëve që ta përkrahin edhe kryetarin në projekte, të cilat duhet realizuar”, tha ajo./Tv Malisheva

Share.