Bordi i përkohshëm i drejtorëve të KEK-ut, kryesuar nga Hysen Fazliu me drejtorët Egzon Berisha, Petrit Ibraj dhe Fatime Grajqevci, ka mbajtur sot mbledhjen e parë zyrtare me ç’rast janë njoftuar nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv Luigj Imeri për objektivat dhe sfidat e korporatës.
Imeri ka njoftuar kryesuesin dhe drejtorët e Bordit të përkohshëm të KEK-ut për aktivitetin e korporatës në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, sfidat në implementimin e projekteve kapitale dhe gjendjen e krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19, si dhe menaxhimin e mirë të kësaj situate deri më tani.
Në anën tjetër, Fazliu ka theksuar se Bordi i përkohshëm i drejtorëve, si përfaqësues i aksionarit të vetëm (qeverisë) ka përgjegjësinë për performancën e mire të KEK-ut.
Për më tepër, Bordi i përkohshëm është i përkushtuar për qeverisjen e korporatës në përputhje me përgjegjësitë dhe parimet e njohura ndërkombëtare për qeverisjen korporative gjithnjë duke respektuar Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe rregulloret e Brendshme të Korporatës.
Bordi i përkohshëm ka përshëndetur angazhimin e menaxhmentit dhe punëtorëve për rezultatet e arritura në aspektin operativ dhe atë financiar./Tv Malisheva