Të rinjtë po paguajnë një çmim të rëndë gjatë pandemisë së COVID-19, veçanërisht ata nga vendet me të ardhura të ulëta, sipas një studim të publikuar sot nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO).

“Pandemia ka patur te këta të rinj, midis moshës 18 deri 29 vjeç, një ndikim sistematik, të thellë dhe të shpërndarë, që ka acaruar pabarazitë dhe rrezikon të dobësojë potencialin prodhues të një brezi të tërë”, tha organizata, raporton ATSh.

ILO theksoi se 73% e të rinjve që studiojnë ose kombinojnë studimin me punën janë prekur rëndë nga mbyllja e shkollave, universiteteve dhe qendrave të trajnimit.

Jo të gjithë kanë qenë në gjendje të vazhdojnë mësimin e tyre në internet, ku 65% e të rinjve nga vendet me të ardhura të larta patën mundësi t’i ndiqnin kurset e tyre përmes videokonferencës, kurse në vendet me të ardhura të ulëta vetëm 18%.

Përsa i përket tregut të punës, një në gjashtë të rinj e ndërpreu punën, 42% e atyre që vazhduan të punojnë patën ulje të të ardhurave.

Share.