Si sot 87 vjet më parë u nda nga jeta patrioti e politikani Hasan Prishtina. Veprimtaria e tij kryesore ishte e përqendruar në lirinë e pavarësinë e Atdheut, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbe dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Lindi në Vuçiternë në një familje patriote. Studimet e larta i kreu në Stamboll për shkencat politiko-juridike. Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në parlamentin osman, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve.
Në fillim të vitit 1912 së bashku me Ismail Qemalin ishte ndër nismëtarët për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri ku u shqua si udhëheqësi kryesor. Në vitin 1913 u ngarkua me detyrën e ministrit në qeverinë kombëtare të Vlorës. Me themelimin e komitetit «Mbrojtja Kombëtare ë Kosovës» u zgjodh anëtar i tij, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris ku do të kërkonte bashkimin me shtetin kombëtar shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi.
Mori pjesë aktive në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës 1920 dhe në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Në dhjetor të vitit 1921 u zgjodh kryeministër i vendit, detyrë të cilën e ushtroi për një kohë të shkurtër. . Në shtator të vitit 1924 në krye të një delegacioni në emër të komitetit «Mbrojtja Kombëtare e Kosovës» shkoi në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë.
Me dështimin e Lëvizjes së Qershorit largohet nga vendi si emigrant politik. Nën drejtimin e tij, u themelua «Komiteti i Çlirimit të Kosovës» i cili veproi jashtë vendit. Hasan Prishtina kërkonte respektimin e të drejtave kombëtare të të gjithë popujve ballkanikë gjë që do të arrihej sipas tij me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, duke përjashtuar çdo formë të hegjemonisë së njërit ndaj tjetrit. Më 13 gusht 1933 në Selanik, u qëlua disa herë me armë nga Ibrahim Çela të cilin e konsideronte mik të afërt. Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri.