Në “Javën e viktimave të krimit”, organizuar nga Prokurori i Shtetit, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, në fjalën e tij të rastit, theksoi para të praniashmëve, nevojën e zbatimit të Udhëzuesit të Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore, si mjet lehësues për vendosjen me drejtësi, në secilin rast penal.
“Tashmë ka filluar kompensimi i viktimave të krimit, dhe ky është një hap përpara në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ndonëse kompensimi material nuk i mbulon gjurmët e dhunës, torturës e traumës, ai është njëfarë mbështetje, jo vetëm financiare, por edhe psikike e emocionale për viktimën e krimit, pasi në këtë mënyrë, viktima do ta kuptojë se shteti e mbron dhe është në anën e saj. Viktima duhet të sigurohet se kriminelët do të paguajnë për krimet e tyre e shteti do të kujdeset për të”, potencoi mes tjerash, kreu i Gjykatës Supreme.