Në Zürich të Zvicrës, në prani të një numri të konsiderueshëm të bashkatdhetarëve, janë promovuar libri i politologut Bardhyl Mahmuti, „Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë“, si dhe Qendra „Gjenocidi në Kosovë- Plagë e Hapur“, njofton Gazeta Evropa.

Një vështrim për librin paraqiti publicisti Lulëzim Etemaj.

“Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”, është një manual i veçantë dhe i rëndësishëm për të gjithë të interesuarit që t’i quajnë me emrin e vertetë krimet e Serbisë, të kryera gjatë luftës në Kosovë, posaçërisht për studiuesit dhe të gjithë ata që, shkaku i profesionit apo vetëm i pasionit, merren me gazetari apo shkenca politiko-juridike“. Ky ka qenë vlerësimi që Etemaj i ka bërë librit.

Në promovim kanë marrë pjesë, u janë drejtuar të pranishmëve dhe kanë dhënë vlerësimet e tyre si për librin ashtu dhe për rëndësinë e Qendrës „Gjenocidi në Kosovë- Plagë e Hapur“, konsullja në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Zürich, zonja Shukrije Ramadani, si dhe ambasadori i Kosovës, zotëri Ramadan Avdiu, Konsull i Përgjitshëm në Bern.

Autori i librit, politologu Bardhyl Mahmuti, njëherit dhe drejtues i Qendrës „Gjenocidi në Kosovë- Plagë e Hapur“, shpjegoi në mënyrë të detajuar rëndësinë dhe domosdonë e përdorimit adekuat të terminologjisë shkencore, si nga ana e gazetarëve ashtu dhe e politikanëve, diplomatëve dhe juristëve, në funksion të ndriçimit dhe shpjegimit të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë, përfshirë edhe gjenocidin.

Me interes të veçantë, bashkatdhetarë të shumtë shtruan pyetje të shumta, si rreth librit ashtu dhe Qendrës, në të cilat morën përgjigjet e tyre, si nga Mahmuti ashtu dhe nga Agush Buja, poashtu njëri nga themeluesit e Qendrës „Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur“.

Adnan Asllani, poashtu nismëtar i themelimit të Qendrës, anëtar dhe autor i logos së saj, shpjegoi për të pranishmit domethënien e logos, si dhe bëri thirrje për bashkëngjitje në veprimtarinë e Qendrës dhe përkrahjen e saj përmes formave të shumta.

Për një përkrahje të fuqishme për Qendrën u angazhua edhe poeti Isuf Sherifi, poashtu një nga nismëtarët e themelimit dhe anëtar i saj.
Përshendetja e themelimit të Qendrës „Gjenocidi në Kosovë- Plagë e Hapur“, vlerësimi, si një hap i qëlluar dhe gatishmëria për përkrajen e saj, përfshirë edhe vlerësimin shumë pozitiv dhe komplimentimin e autorit të librit „Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocit në Kosovës, Bardhyl Mahmuti, kjo është e përbashkëta që i ka përshkuar diskutimet e bashkatdhetarëve.

Me një poemë kushtuar viktimave të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë u paraqit poetja Shqipe Bytyçi, poemë që u prit shumë mirë.

Share.