I pari i Qeverisë së vendit ka bërë të ditur se nuk do të ketë marrëveshje finale me Serbinë pa një pajtim brenda skenës politike kosovare.
“Nuk do të ketë dialog teknik për arritjen e marrëveshjeve në Bruksel për çështje të caktuara. Në Bruksel jemi duke biseduar për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke”, ka thënë kryeministri Hoti në DebatPlus të TV Dukagjini.
Duke iu referuar deklarimeve të kreut të AAK-së Ramush Haradinaj se nuk do ta ketë mbështetjen e tij për dialogun me Serbinë, Hoti tha se ai po e zhvillon procesin e bisedimeve në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Unë zhvilloj dialogun në përputhje me Kushtetutën dhe platformën shtetërore. Të gjithë duhet ta kenë të qartë se ky vend e ka vetëm një kryeministër dhe jo disa kryeministra”, ka thënë ai.
Hoti ka folur edhe rreth mundësisë së hyrjes së PDK-së në koalicion nëse konfirmohet aktakuza e Speciales ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli deri në fund të mandatit qeverisës.
“Ju po kërkoni pyetje në përgjigjen se çfarë do të bëhet në zgjedhjet e vitit 2023. Unë nuk mund të ndërtoj situata hipotetike, sepse besoj se është e pa moralshme politikisht. Presidenti është duke e kryer detyrën e tij”, është shprehur ai.
Hoti tha se duhet marrëveshje politike për zgjedhjen e presidenti të ri pas skadimit të mandatit në fillim të vitit të ardhshëm.