Procesi i liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian do të zvarritet edhe më tej nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kështu po vlerëson ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e cila disa herë kishte premtuar heqjen e vizave me BE-në. Hoxha ka deklaruar për “Zërin” se ndërrimet në qeverisje nuk i bëjnë mirë procesit integrues të vendit.
“Ndërrimet në qeverisje nuk i bëjnë mirë procesit integrues, pavarësisht se detyrat, punët dhe funksionet janë të institucioneve ekzekutive dhe të stafit civil. Nuk ma merr mendja se do të shkaktohet dëm, megjithatë procesi zgjedhor në rrafshin ndërkombëtar shkakton ngecje. Proceset me interes për vendin të konfirmuara me konsensualitet në rrafshin ndërkombëtar janë më të rëndësishme se proceset e brendshme politike”, ka thënë ajo për gazetën.
Në anën tjetër Demush Shasha, nga instituti “Epik”, duke folur lidhur me ndikimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të vendit në heqjen e vizave për Kosovën ka thënë se zgjedhjet mund të kenë ndikim indirekt në ndërrimin e qëndrimeve të shteteve anëtare të BE-së, të cilat veçse e përkrahin këtë proces.
“Ndikimi i zgjedhjeve është indirekt, pasi zgjedhjet nuk bëjnë pjesë te kriteret për liberalizimin e vizave. Ajo çfarë BE-ja kërkon nga Kosova është progres në fushën e sundimit të ligjit, me theks të veçantë te lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Sidoqoftë, natyrisht se procesi zgjedhor do të ndikojë në mënyrë indirekte në qëndrimet e vendeve anëtare sa i përket vendimmarrjes për liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.
Mirëpo zgjedhjet nuk janë aspekti i vetëm që mund të ndikojnë negativisht në heqjen e vizave, sipas tij pengesa kryesore e Kosovës në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave është regresi i vazhdueshëm në fushën e sundimit të ligjit.
“Tre vjet pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për ‘Korrupsion’. Institucionet duhet të ndalojnë presionin politik mbi sistemin e drejtësisë dhe garantimin e një mjedisi pozitiv, transparent dhe kredibil të sistemit drejtësisë, i cili bazohet në punën e njerëzve profesionistë, apolitikë dhe me integritet publik”, ka thënë Shasha.
Kësisoj sipas Shashës, gjasat që heqja e vizave për Kosovën të ndodhë gjatë këtij viti janë minimale dhe rrjedhimisht ky proces mund të shtyhet deri në vitin 2020.
“Në vend të lobimit institucionet e Kosovës duhet të vendosin vëmendjen tek atë çfarë po kërkojnë vendet sikur Franca, Holanda dhe Finlanda. E ajo është arritja e rezultateve në fushën e sundimit të ligjit dhe të luftimit të korrupsionit të nivelit të lartë. Prandaj në gjithë këtë kontekst gjasat janë pothuajse zero që institucionet e BE-së do të marrin vendim pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave deri në fund të këtij viti. Gjasat janë se i gjithë procesi do të shtyhet për vitin 2020”, ka thënë ai./