Shkruan Izet Shala

Atdheu ka apo (s’ka) sy të më shoh dhe ka apo (s’ka) vesh të më dëgjoi
Komunikimi poetik i autorit, Hysni Gashi, në veprën më të re “ Poema, vaji im”, nuk e trazon emocionin infantilo – konfrontal, as nuk e mashtron piramidaliteti i ndërtuar në mashtrim të përgjithshëm horizontal, ku fotografia e jetës reale në atdheun e tij prej mbi 91mijë kilometra katrorë e ku jetojnë afro 10 milionë bashkëkombës të autorit, terrorizohen vetëm nga dhjetë portrete ikonike të gërditshme politike.
Nota edhe më sarkazmatike ku e çmonton realen nga irealja, autori shprehet për mes poezisë,
“Lutja e poetit të Verbër”
Duke rrahur rrugët e të vërtetës
Në qoftë se e vërteta je ti
Unë të përkulem si njeri
Vetëm si i tillë lutjen time do ta përfillë.
Figurativiteti i vargut përmes metaforës, poeti Gashi drejton lutjen në adresën e vërtetë, por edhe si të vërtetë e pret përgjigjën, në të kundërtën, butësisht lutja e poetit mbetet e verbër, por militantizmi shpirtëror do të vazhdoj kryengritjen deri në realizim të së vërtetës.
Autori, nuk është vetëm një mendimtar teorik, as vetëm një iluminist filozofik, por është praktik dhe mjaft i drejtpërdrejt në thirrjen që bënë, në temat që trajton dhe në historinë që fakton përmes vargut, kurse në gjuhën që artikulon, duket i vrazhdë dhe i pa kompromis, por në të vërtetë, ai ofron zgjidhje para vendimmarrjes.
Allkapona në tokën e Arbrit
Kosova skenë e vogël në teatër
Shqipëria, skenë e madhe
Tokë e qarë e Arbrit
Mjaft ka me na dal.
E vështirë ta determinojmë, copëzojmë, sintetizojmë dhe ta gjejmë në superlativë, kërkesën e autorit, por në dukje titulli i poezisë dhe vargjet shpërfaqin unifikimin e dhimbjes kombëtare me junten allkaponiane, që flet me gjuhë e asht shqip dhe ekzalton njëmijë e një metodat të përuljes dhe nënçmimit të njeriut të vet.
Prandaj edhe vargu “ Tokë e qarë e Arbrit”, jep kumtin më alarmativ të tashmes dhe shpresë –mbytjes për të ardhmen, nëse vazhdohet ky mishërim i dhunshëm diku- diku e diku- diku i pavetëdijshëm, e pse jo në pjesën dërmues me vetë-dëshirë, duke ndihmuar alkaponet brenda kësaj gjeografi, që të mbjellin farën e egër në tokën dhe njeriun e Arbrit.
Kjo përditshmëri, ekzekutohet nga monstrumet që u bijën kambanave, sa herë hipin në katedralet dhe minaret e pushtetit, kush më mirë se vargu i autorit sqaron jetën nën rrënojat e bunkerëve të gjithë-pushtetshëm dhe nën ndikimin e shishë-barëve e të shfrenimeve në jetën e natës, që edhe natë e kanë jetën. Poezia “ Doktori Keqbërës”, rrëfehet kështu:
Ti s’më dëgjove
Mbete pa të tjerë
Në dhomën tënde,
Pa dritare, pa derë,
Pa dinjitet, pa nderë!
Alegoria poetike shkon më tej, duke perifrazuar si “ Doktori me Gërshërë”, që bëri copa- copa Shqipërinë e shqiptarët, jo me mjetet të forta, por me super-lëngu “ Dizel”, që digjte e masakronte, fëmijë, gra , të rinj e pleq e plaka në Dardaninë e pathyeshme.
Krejt kjo skenë, nuk ishte serial i filmit në akullnajat e Antraktidës, por njerëz të gjakut e ashtit dhe gjuhës së doktorit keqbërës, që nga dhoma ovale e tehpive të kuq, përcillte mesazhe me lotët e mashtrimit dhe vazhdonte furnizimin me dizelin vdekjeprurës falangat serbo- sllave.
Vogëlushi i Varur në kumbull – flet kështu:
Lidhësen e këpucës ja vënë vogëlushit në qafë,
E varën në degën e kumbullës
Cuclla me qumësht nëne në gojë i mbet
Vogëlushi me Sy hapur, për ty Kosovë po vdesë.
Më shumë se poemë e vajit, më shumë se dhimbje prindërore, përball një makabriteti ç’njerëzor të ndodhur në Kosovë në luftën e fundit për çlirim nga serbo- sllavet. Kjo ngjarje reale, tejkalon kufijtë e një lufte, por barbaria serbe, sikur argëtohet me gjenocidalitetin mbi foshnjet shqiptare që kreu dhe zbatoi vdekjen e ftohtë të nënave, duke parë foshnje të varura, që po jepni frymen njomëzare, për Kosovën e lirë dhe Sovrane, por shtrohet pyetja edhe Çka duhet me pa me sy e me përjetua me lëkurë që të mbushem mend si popull e pushtet, pyet poeti Gashi?
Kjo dramë, ka më shumë se dy shekuj që na përcjellë, por poeti nuk heq dorë nga shpresa për ditë më të mira, për kombin e vet, për atdheun , prandaj edhe poemën e vajit po punon që ta kthej në poemë buzëqeshje, në poemë pune, kënge dhe në poeme liri e në poemë Ylberi për familjet e kombin shqiptarë.
Poezia
Ah fustani yt i bardhë
Sa shumë me pëlqen, ky fustani i bardhë,
Dua ta shohë në trupin tënd, sa bukur të rri,
Edhe po të vdes, sytë nuk me mbyllën,
Pa të parë të lirë e të bashkuar, ty Shqipëri.
Poeti, Gashi, nuk e relativizon aspak, situatën, por beson në fuqinë, dijen që po lindë brenda popullit të tij, beson në resurset e atdheut që ka, beson në ujin dhe malin, beson në ajrin, beson në lindjet e reja, në buzëqeshjet e tyre dhe në ndërtimin e familjes së shëndosh shqiptare.
Krejt këto idejizime të forta, poeti i sheh dhe i ndjen tek poezitë portretive të njeriut të kësaj toke, të kësaj gjuhe, të këtij ashti e gjaku të rrojtur nëpër shkëmbinj të thepisur, ku jeta zgjohet vazhdimisht me dhimbjet e trupit e kënetat e thara, ku dielli i verës hapë brazdat dhe shiu i korrikut krijon lumenjtë e shpresë.
Vepra Poema e Vajit tim, ka ndërtim interesant të komunikimit, ka gjuhë të rrjedhshme, ka stil të lartë, figurativizëm dhe alegori, kontrast që sforcon besimin për shpresën, jo skepticizëm të egos, por zgjidhje, shërbim për vendin e vet, para se t’i shërbesh ngushtësisë tuaj të shfrenuar, mashtrimit, pa diturisë, tradhtisë dhe varr-hapjes në tokën, për tokën, ku edhe ti do të prehesh, por asnjëherë nuk do të jesh i qetë.
Realja poetike, nuk paraqet histori fiktive, por përgjegjësia e mashtrimit e kthyer në papërgjegjësi të atdheut, nuk ka përfundim ndryshe, veç se në tradhti, pas veprimeve tuaj në shërbim të atdheut, ku matjet do t’i bënë koha dhe historia.
Poezia ka këtë fuqi sovrane dhe gjykim, qe ia bënë cilit do që shkel përditë mbi atdhe e nuk i kërkon së paku ndjesë për gabimet që ia ka bërë, për dhimbjet që i ka shkaktuar nëpër kohë, atdheu fal, ai nuk të hedh si mbeturinë, por nuk nënshtrohet asnjëherë, deri sa ta realizoi Lirinë për njerëzit e vet.
Vepra, Poema vaji im e autorit, Hisni Gashi, fakton kohën dhe veprimin të cilën po e jetojmë, tregon të tashmen dhe të ardhmen dhe nuk e harron të kaluarën.

Share.