Në kuadër të përkrahjes për familjet në nevojë, si pasojë e situatës me pandeminë COVID-19, Komuna e Malishevës, ka filluar me shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjienike për 450 familje, të cilët në një formë apo tjetër janë prekur nga kjo situatë.

Shpërndarja e pakove ushqimore, po bëhet nga Shtabi Komunal për Menaxhimin e situatës me COVID-19 në territorin e Komunës së Malishevës, ndërsa këto pako ushqimore po shpërndahen përmes kryesive të fshatrave tek familjet në nevojë.

Shpërndarjen e këtyre pakove, e ka parë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili tha se “si shtab dhe si komunë, në vazhdimësi, nga muaji mars, jemi duke u përkujdesur për të gjitha rastet që kanë nevojë për përkrahje, pasi gjendja sociale është përkeqësuar si pasojë e pandemisë”.

“Në vazhdimësi, gjatë këtyre muajve, në bashkëpunim të ngushtë me kryesitë dhe kryetarët e fshatrave, jemi duke ju qëndruar afër të gjithë atyre që kanë nevojë për përkrahje, përmes mjeteve të komunës apo përmes donatorëve të ndryshëm. Këto pako janë pjesë e mjeteve të ndara nga Asambleja Komunale, për menaxhim të situatës me pandemi dhe për mbështetje të familjeve në nevojë gjatë kësaj situate”, ka sqaruar nënkryetari Berisha, në emër të shtabit komunal emergjent. /TV Malisheva

Share.