Sot në fshatin Gollubovc të Komunës së Malishevës, ka filluar hapja e dy rrugëve të reja në dy lagje të këtij fshati.
Në fillimin e punimeve në këto rrugë, ishin të pranishëm i pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i urbanizmit, Ahmet Morina, të cilët janë takuar edhe me banorët e Gollubovcit.
“Kjo është pjesë e investimeve të komunës, në infrastrukturën rrugore në të gjitha vendbanimet e Komunës së Malishevës, dhe këto rrugë janë pjesë e këtyre investimeve dhe mbi të gjitha janë kërkesë e banorëve, të cilat tani po realizohen. Ne jemi të përkushtuar që brenda mundësive që kemi, ti realizojmë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Sot i uroj të gjithë banorët e Gollubovcit, në veçanti të këtyre dy lagjeve, të cilët deri tani e kanë pasur të vështirë lëvizjen deri në rrugën kryesore, për shkak të terrenit”, tha kryetari Begaj.
Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ahmet Morina, ka bërë të ditur se rregullimi i këtyre dy rrugëve mundësohet nga buxheti komunal i Malishevës, të cilat fillimisht do të hapen dhe zgjerohen, e më pas do të krijohet baza për të përfunduar me asfaltimin e tyre.
Gollubovci është fshati më i largët nga qendra komunale e Malishevës, e që ka një terren të thepisur dhe si pasojë edhe qarkullimi apo lëvizja, është më e vështirë në disa pjesë të fshatit. /TV Malisheva