Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Malishevë, nën drejtimin e kryetarit të komunës, Ragip Begaj, sot e ka mbajtur mbledhjen e rregullt të saj, ku është vlerësuar situata e sigurisë në Komunën e Malishevës, situata me pandeminë dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Situata e sigurisë në Komunën e Malishevës, u vlerësua e qetë, stabile dhe pa tendencë të prishjes së kësaj situate, pavarësisht rrethanave aktuale, sidomos me pandeminë covid-19. Sipas komandantit të stacioni policor në Malishevë, kapiten Azem Krasniqi, situata është e qetë, nuk ka rrezik të prishjes së situatës së sigurisë, pavarësisht rrethanave, e sidomos situatës pandemike, e cila ka mundur të ndikoj në rritjen e rasteve të veprave penale për shkak të efektit të mbylljes apo karantinimit për një kohë të gjatë. Po ashtu edhe aksidentet në trafik, kanë shënuar rënie, e për këtë ka ndikuar edhe situata me pandemi, pasi janë reduktuar lëvizjet.
Ndërsa për situatën aktuale pandemike, foli kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili i njoftoi anëtarët e KKSB-ës, me situatën aktuale, për menaxhimin e situatës nga ana e shtabit komunal, si dhe për ofrimin e shërbimeve të nevojshme shëndetësore dhe shërbimet tjera, për të gjitha rastet e prekura. Begaj, tha se numri i vdekjeve është i madh në krahasim me numrin e banorëve dhe numrin e të prekurve dhe kjo sipas tij është shqetësuese. Për menaxhimin e situatës pandemike, kryetari Begaj, i ka falënderuar të gjithë ata që janë të angazhuar direkt apo indirekt, duke filluar nga stafi shëndetësor, policia, shtabi komunal, dhe të gjithë të tjerët që kanë kontribuar në menaxhimin e situatës, e cila sipas anëtarëve të KKSB-ës dhe sipas përgjegjësve, u vlerësua e menaxhueshme dhe nën kontroll të plotë.
Për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe në këtë drejtim, sipas tij, Komuna e Malishevës e ka një përparësi për zbatimin e masave anti covid, sepse ka hapësirë të mjaftueshme në objektet shkollore, përjashtuar gjimnazin, ku numri i nxënësve është shumë i madh dhe mësimi do të zhvillohet i kombinuar, apo sipas planit B, ndërsa në shkollën fillore në Malishevë, mësimi do të mbahet në tri ndërrime./TV Malisheva