Shujta për mësimdhënësit është e garantuar nëpërmjet kontratës së nënshkruar nga mësimdhënësit dhe normalisht se ju takon me Ligj. Kështu tha për Gazetën Observer, Rrahman Jasharaj, i pari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), derisa tregoi se çfarë është bërë lidhur me vendimin për ndarjen e shujtave.
“Sipas kontratës aktuale për të punësuarve të arsimit, po, ju takon shujta por mund të ju them se nuk është është anagzhim direkt i nivelit qendror të SBASHK-ut. Kemi informacione se kolegët tanë nëpër Komuna kanë filluar të angazhohen përmes gjykatave dhe besoj se do t’i fitojnë shujtat, ashtu qysh i kemi fituar shumë të drejta tona”, tha Jasharaj.
Ndryshe, diskutimi për shujta ka vite që është bërë por që deri më tash nuk është arritur sukses në tërësi.
Transporti për mësimdhënësit një e drejtë e harruar
Përveç Komuna e Prizrenit, komunat e tjera nuk kanë ndarë buxhet për pagesën e transportit të mësimdhënësve deri në vendin e punës. Pse komunat tjera nuk e kanë bërë të njëjtin veprim edhe pse është e rregulluar me kontratën aktuale që e kanë të nënshkruar mësimdhënësit, i pari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj për Gazetën Observer dha këtë përgjgije.
“Është e rregulluar edhe kjo me kontratë, por e vetmja komunë që është marrë seriozisht me këtë çështje është komuna e Prizrenit. Ka arritur të gjejë mjete nga buxheti vetanak, por fatkeqësisht komunat tjera nuk e kanë bërë nëj gjë të tillë, përveç në Prishtinë që mësimdhënësit e përdorin transportin urban, por jo zgjidhje tjetër çfare duhet për transport”, tha Jasharaj për Gazetën.
Më tej, ai tha se vazhdimisht kanë kërkuar nga organet përgjegjëse që mësimdhënësit të kenë transport, por një gjë e tillë ka ‘rënë’ në vesh të shurdhër. Me formimin e institucioneve të reja, Jasharaj shpreson se kontrata kolektive të gjejë zbatim në tërësi.
Nga ky muaj mësimdhënësit do t’i marrin pagat e viteve të ’90-ta
Së shpejti, gjegjësisht në muajin nëntor pritet të fillojë kompensimi për mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë.
Edhe pse kemi menduar se në muajin që po e lëmë, pra tetor, mësimdhënësit do t’i marrin pagat e viteve ’90-ta, kjo gjë nuk është bërë për shkak të dinamikës së punës që ka Drejtoria e Pensionimit. Kështu ka njoftuar për Gazetën Observer, Rrahman Jasharaj, i pari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
“Për shkak se duhet pasur kujdes që mos të kemi ndonjë lëshim dhe të mos ofendohen mësimdhënësit e viteve të ’90-ta, Departamenti i Pensioneve po e kryen detyrën me shumë përkushtim dhe me kujdes. Mësimdhënsit do t’i marrin pagat, besoj në muajin nëntor”, ka thënë Jasharaj, për Gazetën Observer.