Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani i ka quajtur artificiale përplasjet për asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.
Sipas saj, asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është i rrezikshëm për Kosovën.
“Si në vitin 2013 kur është nënshkruar marrëveshja, si në vitin 2015 kur është nënshkruar dokumenti, në të dyja rastet kanë qenë bashkë dhe këto dy palë e kanë përkrahur njëra-tjetrën”.
“Në vitin 2015 e kam thënë në Kuvend, Thaçi i rrinte prapa Mustafës si një lloj miratimi të nënshkrimit të dokumentit për asociacionin”.“E kanë përkrahur njëri-tjetrin dhe më duket si përplasje artificiale.
Pavarësisht deklarimeve ajo që mbetet e vërtetë është se krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është i rrezikshëm për Kosovën”.
Osmani është shprehur se nëse palët e kanë kuptuar këtë përgjatë rrugë është lajm i mirë.“Më mirë vonë se kurrë. Të gjithë të bashkuar ta kundërshtojnë krijimin e një trupe të tillë që është prelud për ndarjen e vendit.
Do ta destabilizonte vendin për një kohë të gjatë”.“Është rrugë e keqe nëse Kryeministri Avdullah Hoti e ka nisur atë.
I bëjmë thirrje që të mos ju hyjë aventurave të tilla të rrezikshme”.
Osmani ka bërë të ditur se ditën e premte do të mbahen dy seanca.
“Do të kemi seancë këtë të premte, në mëngjes do t’i trajtojmë pikat e papërfunduara të rendit të ditës, janë diku tri katër pika”.
“Pasdite kemi seancë të re, do të kemi shqyrtimin e një propozimi amandamenti kushtetues që është përfshirja e konventës së Stambollit, që ka të bëjë me barazinë gjinore në Kushtetutën tonë, është hap i madh drejt një baze të fuqishme kushtetuese drejt barazisë gjinore, shpresoj shumë në përkrahjen e deputetëve”.
Ajo bëri të ditur se kanë marrë vendim ta ftojnë kryeministrin Avdullah Hoti në një seancë ku do të flasë për 100 ditshin e Qeverisë.
“Gjatë javës pasuese do ta ftojmë kryeministrin në një seancë të veçantë për 100 ditëshin”. /TV Malisheva