Barcelona e pësoi sot disfatën e tretë të këtij sezoni të La Ligës, pasi u mposht me rezultat 3:1 nga Levante, duke e vënë në rrezik renditjen e vet në pozitën e parë të tabelës së ligës spanjolle.

Barcelona u mposht me rezultat 3:1 nga Levante, që radhitet në pozitën e tetë në tabelën e La Ligës, përkundër që pati më shumë raste të krijuara dhe e mbajti më shumë posedimit e topit gjatë 90 minutave të ndeshjes, raporton Gazeta Express.

Skuadra e Ernesto Valverdes kaloi fillimisht në epërsi përmes golit të shënuar nga kapiteni Lionel Messi nga pika e penalltisë në minutën e 38-të të ndeshjes, duke e mbyllur kështu pjesën e parë me epërsi minimale.

Valverde u detyrua ta zëvendësojë Luis Suarezin e lënduar pak para fundit të pjesës së parë. Kjo ishte goditja e parë për Barcelonën në këtë ndeshje, që në minutat në vazhdim e përjetoi një rikthim sensacional të rezultatit nga Levante.

Pjesa e dytë e ndeshjes i takoi plotësisht Levantes, që i shënoi tri gola përmes Jose Campanas, Borja Mayoralit dhe Nemanja Radojas.

Barcelona e mban ende kreun e La Ligës me 22 pikë nga 11 ndeshjet e para, megjithatë ajo mund ta humbë këtë pozitë nëse Real Madridi e fiton ndeshjen e kësaj xhiroje.

Share.