Kronika historike letrare, “Guri i Betimit” është një vepër krejtësisht e veçantë në letërsinë shqipe, e cila trajton po ashtu një ngjarje madhore sikur ka qenë, qëndresa heroike shqiptare kurdoherë, gjatë së kaluarës historike, por edhe indolenca mjaft e shprehur e një pjese, për ta injoruar e për ta anashkaluar të kaluarën, për shkaqe të ndryshme, ideologjike, fetare e politike.

Një vend me rëndësi në këtë roman, i kushtohet edhe Luftës së Kosovës së 15 qershorit të vitit 1389, dimensionit të saj historik, akuzave para betejës për tradhti drejtuar, Milush Kopiliqit, tradhtisë së Vuk Brankoviqit e Gjergj Ballshës, vrasjes së Sulltan Muradit të Parë, prerjen e kokës së Milush Kopiliqit, vrasjes së mbretit, Elezar Hebrelani, pranimit të vasalitetit nga Vuk Brankoviqi dhe shumë të tjerë. Beteja është përshkruar me një dimension të gjerë në logun e luftimeve, në prapavijë, duke pasqyruar veprimet luftarake, mashtrimet, sulmet e befasishme, pastaj tërheqjet, mësymjet e zhvillime të njohura, të bazuara edhe në dokumente e argumente historike të kohës.

Rrëfimi historik është pasuruar edhe me elemente e motive të rrëfimeve popullore, veçmas duke u mbështetur në disa variante të këngëve të eposit shqiptar, por edhe atij serb, duke i demitizuar disa të dhëna që nuk i qëndrojnë realitetit historik, sepse miti dhe historia nuk janë e njëjta gjë, ndërsa autori ka arritur të bëjë edhe “çlirimin ” e tyre nga hiperbola, në gjendjen e besueshme, reale, nga imagjinata e stërmadhimi, i ka “ulur në tokë” në kufij të realitetit.

Ky roman historik na kthen në një botë të veçantë. Në një segment të vrojtimit, pasuron aspektin krijues letrar, me qëllim për të sjellë të dhëna të shumta historike, të dhëna nga kujtesa e ruajtur për më shumë se gjashtë qind vjet, të prezantuara para lexuesit si një botë mes historisë dhe imagjinatës, e cila është e ndërlidhur, në saje të fakteve të njohura dhe të reja, që janë rezultat u hulumtimit dhe kondenzimit të kësaj lënde në një tërësi organike.

Kjo kronikë historike, letrare, është një përpjekje për pasqyrimin objektiv të rrethanave politike e shoqërore, të cilat kanë ekzistuar në gjysmën e dytë të shekullit 13-të, me qëllim për ta njëzuar kronikën e ngjarjeve historike me segmentin letrar, imagjinar, që rrjedhë nga tërësia e ballafaqimit të fakteve reale, dokumentare e historike. Pikërisht për këtë segment, autori është përcaktuar për këtë formë të trajtimit të disa ngjarjeve historike të periudhës së Mesjetës, meqë konsideron se paraqitja vetëm e fakteve si të tilla, nuk mjafton për të nxjerrë edhe përfundime të caktuara, dëshmi e argumente, që kanë rrjedhë ndër shekuj dhe që mjerisht kanë lënë porosi tejet armiqësore nga rashjanët e mesjetës, që më vonë u quajtën serbë, por edhe sllavët përgjithësisht, të cilët qysh me rastin e dyndjeve nga përtej Karpatet, nga fillimi i shekullit VII dhe vendosjen e tyre të dhunshme në Ilirikun e kohës, kryen barbari të pashembullta, ndërsa me krishterimin ata u takuan dhe e pranuan në shekullin 11-të, derisa iliro-dardanët e kishin përqafuar qysh në periudhën apostolike e pas apostolike.

Kjo vepër është rezultat i studimeve shumëvjeçare të autorit për Mesjetën, jo vetëm në burime serbe e evropiane, por edhe në burime turke, greke, raguziane, shqiptare, pastaj në kujtesën historike shqiptare, konkretisht në eposin e këngëve të Luftës së Kosovës, në fragmente të letërsisë popullore, të këngëve të tilla, të cilat shkolla folklorike shqiptare i ka trajtuar si këngë legjendare, edhe pse ato janë këngë historike me disa elemente legjendare…

 

Libri ka 450 faqe, e botoi sektori i botimeve i Radios-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola” në Prishtinë.

Share.