Me aktivitete të reduktuara për shkak të situatës me pandemi, në 22 vjetorin e rënies është përkujtuar Shpëtim Robaj, i cili ra në krye të detyrës, më 30 shtator të vitit 1998 në Abri të Drenicës. Për këtë qëllim, sot, i pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i shoqëruar edhe nga drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Liridon Hoti dhe drejtor të tjerë të qeverisë komunale dhe drejtorinë e QKMF-së në Malishevë, kanë bërë homazhe pranë varrit të Shpëtim Robajt në Prishtinë.

Shpëtim Robaj, ra në detyrë, më 30 shtator, përderisa ishte duke shkuar për të ofruar ndihmë për popullatën në Abri. Automjeti me të cilin po udhëtonin mjekët, ka rënë në minat e vendosura nga  ushtria serbe në rrugën për në Abri, ku edhe kishte humbur jetën.

Në shenjë respekti dhe vlerësimi të punës dhe aktivitetit të mjekut dhe humanistit Shpëtim Robaj, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Malishevë, me krenari e mban emrin e “Dr.Shpëtim Robaj”.

Shpëtim Robaj, është njëri prej dëshmorëve të Komunës së Malishevës, ndërsa vepra e tij është vlerësuar nga organet më të larta të vendit, dhe familja Robaj ka marrë mirënjohje dhe çmime të shumta./TV Malisheva

 

Share.