Infektimi me Covid-19 i presidentit amerikan Donald Trump dha efektet e para në bursa. Investuesit shitën aksionet dhe naftën dhe iu drejtuan aseteve tradicionalisht të sigurta, arit dhe obligacioneve. Në Europë, ekspertët presin që ndikimi të jetë afatshkurtër.

Investitorët e trembur përpara zgjedhjeve amerikane të nëntorit, tani duhet të shqetësohen për diçka tjetër: shëndetin e presidentit. Infektimi me COVID-19 i Donald Trumpit solli të premten shitjen e shpejtë të aksioneve dhe naftës dhe rritje të kërkesës për asete tradicionalisht të sigurta, siç është ari dhe obligacionet.

Nëse simptomat janë të lehta dhe Trump shërohet shpejt, tregjet mund të stabilizohen dhe presidenti mund të përdorë përvojën për të projektuar imazhin e tij si luftëtar në fushatën kundër sfiduesit demokrat Joe Biden, raporton Ora News.

Por nëse infeksioni përhapet tek anëtarët e tjerë të kabinetit, investuesit do të alarmohen.

Në Europë, ekspertët presin që ndikimi të jetë afatshkurtër.

“Bursa e Frankfurtit është e ndikuar nga pasiguria. Kishte shpresë të re nga pakoja e stimulit në Shtetet e Bashkuara, por karantimimi i presidentit Trump ngre shqetësime për shtyrjen e kësaj pakoje. Megjithatë e dimë se këto lloj incidentesh kanë ndikim afatshkurtër dhe nuk presim dëme të mëdha në bura. I urojmë më të mirat zotit Trump, si dhe rivalit të tij,” thotë kryeanalisti i tregjeve financiare i Bankës Baader, Robert Halver.

Herët të premten, pas publikimit të lajmit për sëmurjen e presidentit Trump bursa e Tokios shënoi rënie. Indeksi japonez Nikkei i fshiu fitimet e arritura dhe ra me 0.67%.

Share.