Deputetët do të mbajnë tri seanca plenare gjatë kësaj jave, ku në rend dite do të jenë edhe pikat e papërfunduara si Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike që ka dështuar të marrë pesë herë votat.
Një seancë e re pritet të mbahet të enjten, ndërsa të premten kryeministri Avdullah Hoti do të raportojë për 100 ditshin e tij.
Dështimin pesë herë radhazi të miratimit të pakos për rimëkëmbje kryeparlamentarja Vjosa Omsani ia atribuoi tërësisht kreut të qeverisë.
Ajo në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se mungesa e numrave të koalicionit qeverisës nuk është përgjegjësi e saj.
Osmani: Kryeministri Hoti nuk po arrin të ketë 61 deputetë në Kuvend
“Është parim bazik i demokracisë që numrat për të kaluar një ligj i sponsorizuar nga qeveria duhet të sigurojë koalicioni qeverisës. Koalicioni qeverisës vazhdimisht ka sjellë në Kuvendin e Kosovës diku 40 deri 50 deputetë maksimalisht. Pra është përgjegjësi e tyre primare… Pyetja duhet t’i drejtohet zotëri kryeministër që nuk po arrin të ketë 61 deputetë që votojnë në favor të nismave që qeveria e tij i sponsorizon. Pra, përgjegjësia është aty dhe askund tjetër. Në mandatin e kaluar, kur LDK-ja ka qenë në opozitë, vazhdimisht e kemi theksuar se është obligim i qeverisës së PAN-it të bëjë 61 vota. Vetëm kur kishim të bënim me marrëveshje ndërkombëtare shkonim si opozitë të përkrahim ato nisma”, tha Osmani.
Ndërsa, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci bëri të ditur se përveç raportimit për 100 ditët e punës së kryeministrit Hoti, kanë ngritur edhe shqetësimin e zgjedhjes së kryesuesit të ARKEP-it.
Nagavci: Tashmë u vendos që të ftohet për ditën e premte kryeministri Hoti për raportim
“Meqenëse gjatë javës së kaluar nuk kemi marrë përgjigje nga zotëri Hoti, tashmë u vendos që të ftohet për ditën e premte dhe ne presim të diskutojmë për të gjitha çështjet e rëndësishme. Përpos kësaj, e konsideroj të rëndësishme të ndaj me ju edhe çështjen e plotësimin të ARKEP-it. Siç jeni në njohuri, bordi i ARKEP-it ka një vit që ka mbetur pa kryesuesin dhe kjo krijon probleme të natyrës ligjore dhe të sigurisë kombëtare pasi e dini që IPKO është në proces të shitjes dhe ARKEP është rregullatori i vetëm që shqyrton këtë çështje”, tha ajo.
Përveç pakos për rimëkëmbje ekonomike, deputetët do të sfidohen sërish me Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së si dhe votimin e disa rezolutave për të cilat nuk ka pasur kuorum.
Ndërsa në seancën e re plenare do të provohet të votohen disa marrëveshje ndërkombëtare si dhe të shqyrtohen në parim disa projektligje. /TV Malisheva