Në Shqipëri është realizuar me sukses implanti koklear për fëmijët që nuk dëgjojnë, me financim të plotë nga shteti. Ndërhyrjet e rralla janë realizuar tek 5 fëmijë nga mosha 2-7 vjeç në shërbimin e Otorino-Laringologjisë në QSUT apo siç njihet si Spitali Francez.

Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, vlerësoi punën e stafeve mjekësore dhe garantoi financimin nga shteti të paketës së implantit koklear.

“Për mua është ndër lajmet më të gëzuara që ja mbërritëm kësaj dite për të realizuar implantin koklear. Kjo është realizuar falë ekspertizës së mjekëve por edhe mbështetjes së qeverisë për sigurimin e financimit për paketën falas të implantit koklear. Janë pesë fëmijë që do t’u rikthehet dëgjimi dhe integrohen plotësisht në jetën sociale dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë paketë falas”, tha Manastirliu.

“Faleminderit që bëtë diçka të pamundur për ne, sepse është shumë e kushtueshme, Është si një ëndërr për ne”, u shpreh nëna e Orlandos, djalit 2 vjeçar që është edhe fëmija më i vogël që kreu ndërhyrjen e rrallë.

“Kjo është një rrugë e gjatë por kemi bërë hapin më të rëndësishëm për këta fëmijë”, tha prof. Suela Sallavaci, një prej mjekeve që kanë kryer ndërhyrjet.

“Në fakt kemi shumë vite që e presim këtë projekt të madh dhe është vërtet një arritje për shërbimin tonë. Futja e implantit koklear duket si kosto vërtet e madhe porn ë afat të gjatë jo sepse arrin të integrojë plotësisht këta fëmijë”, tha prof. Besim Boçi, shef I shërbimit të ORL.

20 fëmijë me nevoja të veçanta (shurdhësi e lindur) do të përfitojnë në vit nga kjo ndërhyrje dhe aparatin e posaçëm që i rikthen dëgjimin. Ndërhyrja është definitive dhe arrin të integrojë plotësisht fëmijët në jetën sociale, pas një procesi të gjatë rehabilitimi. Kosto e trajtimit për çdo fëmijë është 29 mijë dollarë.

Share.