Gjatë formacionit letrar-stilistik të natyralizmit në produksionin teatror, paraqitet nevoja për regjisorin. Dikur këtë punë e ka kryer aktori kryesor (aktori menaxhues i trupës/teatrit). Natyralistët kërkonin të paraqisnin “një copë jete, të inskenuar në skenë me art” (Jean Kullien), e cila në praktikën dramatike e teatrore kishte për interesim të saj problemet sociale, motivet psikologjike të personazheve dhe detajin. Kjo frymë teatrore, gjatë fundit të shekullit XIX – e shtyrë tutje nga ndikimi regjisorial – lëvizte drejt paraqitjes së realizmit psikologjik dhe dramës moderne.

Njëri ndër shkrimtarët më të shquar që e kultivon këtë stil dhe i cili shpeshherë me të drejtë konsiderohet themelues i dramës moderne, është dramatisti norvegjez Henrik Ibsen. Ai qëndron i madh në teknikën dhe forcën dramatike që kanë veprat e tij dhe, mbi të gjitha, ai është dramatisti i parë që fut një mënyrë të re në të shkruarit e dramës. Me stilin e tij “përmbys” konceptin aristotelian për njësinë e veprimit, duke e zhvilluar konceptin e tij mbi veprimin e ekonomizuar.

Veprimi që çon në kundërveprim për të ndërtuar konfliktin në dramat e tij, zakonisht nuk ndodh në strukturën e fabulës, por ai ndodhet kryesisht në kundërthëniet dhe përplasjet e botës mendimore dhe emocionale të personazheve. Personazhet e Ibsenit janë njerëz me mish e gjak, me intelekt e me shpirt dhe nuk janë skelete a marioneta që kryejnë veprime sa për ta shtruar strukturalisht dramën apo thjesht për të ndërtuar situata dramatike. Drama e Ibsenit merret me pasojën, sepse veprimi klasik në të shumtën e herëve nuk ndodhet aty: ai tashmë ka ndodhur diku më parë, me pasojat e të cilit përsiaten personazhet të cilat artikulohen nëpërmjet dialogut depërtues, mendimeve të ashpra dhe psikologjisë së thellë të karaktereve.

Psikologjia e karaktereve në dramat e Ibsenit – p.sh. te “Armiku i popullit” (Dr. Stokman), te “Shtëpia e kukullës” (Nora), te “Jun Gabriel Borkman” (Borkmani), te “Heda Gabler” (Heda), te “Shtyllat e shoqërisë” (Konsulli Bernik) etj. – ngrihet në nivelin e personazheve të papërsëritshme, në nivelin e arketipeve njerëzore dhe njëkohësisht individumeve të papërsëritshme në gjithë dramaturgjinë botërore. Hulumtimi i botës njerëzore, i niveleve, nënniveleve dhe skutave më të errëta të shpirtit dhe mendjes së njeriut, si dhe guximi krijues i Ibsenit për të portretizuar dhe tipizuar personazhe të tilla në dramat e tij, sjell një frymë të re në dramaturgji, që provokon rishqyrtimin e vlerave njerëzore dhe artistike.

Në dramat e Ibsenit ndodh permutacioni në renditjen e të ashtuquajturave objekte të mimesit (imitimit-krijimit) aristotelian. Pra, nëse për teorikun e parë të artit, Aristotelin, Mythos (fabula, përralla) është objekti i parë për krijimin e një vepre dramatike, dhe pas saj është Ethosi, Persona (karakteret, personazhet), për Ibsenin personazhi është ai që zë vendin kryesor dhe qendror në një vepër drame. Personat, pastaj, duke vepruar e zhvillojnë objektin e dytë të mimesisit – fabulën.

Reduktimi i veprimit joverbal të personazheve dhe futja e veprimit verbal – gjegjësisht dialogut që ka karakter konfliktuoz, të debatit kundërthënës apo diskutimit – pa dyshim që shënon një hap të ri në teknikën e të shkruarit të dramës dhe në gjetjen e mjeteve të reja estetike për ta funksionalizuar dhe ndërthurur në mënyrë sa më organike strukturën me përmbajtjen e dramës.

Nga: Emin Z. Emini

(Shkrim i botuar për herë të parë më 11 nëntor 2006, në shtojcën analitike “Lajm Plus” të ditores “Lajm”)

Share.