Marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për menaxhimin e përbashkët e të qëndrueshëm të peshkimit në Liqenet e Ohrit dhe Prespës së Madhe, si dhe tregtimin e kafshëve të gjalla dhe produkteve me origjinë shtazore, synon rritjen e volumit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi dhe homologu i tij maqedonas Arjanit Hoxha, diskutuan sot në Tiranë mbi menaxhimin e përbashkët të peshkimit në Liqenin e Ohrit dhe Prespës së madhe.
Në përfundim të këtij takimi protokollar, grupi i punës së të dy vendeve do të ulet për të diskutuar hap pas hapi mbi një projektmarrëveshje.
Synimi është që palët të angazhohen për një bashkëpunim të mëtejshëm, ndërkufitar të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë në fushën e menaxhimit të qëndrueshëm të peshkimit në Liqenin e Ohrit dhe Prespës së Madhe.
Pas miratimit të kësaj marrëveshjeje të dy vendet do të bashkëpunojnë në mënyrë aktive në luftën kundër peshkimit të paligjshëm, të pa raportuar dhe të parregulluar.
Ndërsa për sa i përket tregtimit të kafshëve të gjalla dhe produkteve me origjinë shtazore, mes dy vendeve, ministri Çuçi bëri të ditur se, janë ngritur grupe pune/përfaqësimi për të dakorduar marrëveshjen, e cila do të nënshkruhet në një moment tjetër.
Këto grupe në nivel ekspertësh do të përpilojnë një marrëveshje, e cila synon: njohjen e certifikatave veterinare ndërkombëtare mes dy vendeve; tregtimin e kafshëve të gjalla mes dy vendeve; tregtimin e produkteve me origjinë shtazore, kryesisht bulmetit, duke njohur autoritetet kompetente dhe laboratorët e autorizuar për kontrollin e këtyre produkteve; si dhe angazhimin dhe bashkëpunimin teknik në marrjen e masave dhe zbatimin e strategjive në kuadër të ruajtjes së shëndetit të kafshëve dhe popullatës në qasje të njëkohshme e bilaterale.
“Në të dy vendet tona janë kryer investime shumë të mira në përpunimin e qumështit apo të mishit dhe produktet janë të një cilësie të lartë. Është e pakuptimtë që kompanitë në të dy vendet të mos kenë qasje të barabartë në tregjet tona dhe më gjerë në rajon. Përgjegjësia jonë si politikbërës është të krijojmë të gjitha lehtësitë dhe kushtet që njerëzit në këtë rajon të mos pengohen në iniciativat e tyre të sipërmarrjes. Të zgjedhin të jetojnë dhe investojnë këtu. Ne duhet të garantojmë lëvizjen e lirë të mallrave, lëvizjen e lirë të shërbimeve dhe lëvizjen e lirë të kapitalit. Pandemia na tregoi edhe njëherë se çdo krizë është gjithashtu një oportunitet i ri, një mundësi për ringritje dhe zhvillim”, tha ministri Çuçi.
“Shpreh bindjen se të dyja vendet tona do të dinë ta shfrytëzojnë më së miri këtë moment dhe nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është një ogur i mirë për një kthesë të madhe për sa i përket bashkëpunimit tregtar të të dy vendeve kur është fjala për sektorin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”- deklaroi ministri Çuçi. /TV Malisheva