Komuniteti i biznesit edhe sot po kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe të lihen anash inatet politike.

Përfaqësues të bizneseve thonë se miratimin e këtij projektligji e shohin si mënyrën e vetme për të shmangur kolapsin ekonomik.

Gjendja në sektorin privat vazhdon të jetë e rënduar si pasojë e pandemisë COVID-19, që ka çuar në falimentim të një numri të madh të bizneseve dhe në mbylljen e dhjetëra mijëra vendeve të punës.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, deklaroi se mosmiratimi i Projektligjit për Rimëkëmbje do ta dëmtojë rëndë ekonominë e vendit.

Krasniqi: Nëse vazhdon neglizhenca do të kemi një tragjedi të jashtëzakonshme

“Në qoftë se vazhdon kjo Qeveri dhe ky Parlament me këtë neglizhencë ekstreme që janë duke ia bërë qytetarëve, punëtorëve që e mbajnë shtetin, sektorin privat dhe bizneseve do të kemi një tragjedi të jashtëzakonshme edhe pse edhe tani jemi në tragjedi, sepse do të ketë rënie të madhe të të hyrave për shtetin si rezultat i rënieve të mëdha dhe falimentimit të bizneseve. Ne i kemi paralajmëruar Qeverinë që nga shtatori, bizneset do të kenë të pamundur të mbajnë numrin e njëjtë të punëtorëve dhe rreziku është që nga 50 deri në 100 mijë vende të punës të jenë më pak. Në rast se kemi këtë, e gjasat janë që të kemi këtë rënie, atëherë do të kemi një rënie drastike të të hyrave për shtetin”, thotë ai.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka , në një deklaratë u shpreh se për pakon për rimëkëmbje ekonomike, kërkohet të arrihet edhe një konsensus, në këtë rast edhe votat e opozitës.

Zeka: Për pakon nevojitet konsensus politik

“Përtej vonesës në nisjen e rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë Covid-19 dhe përtej rrezikimit të një numri të madh të ndërmarrjeve të cilat mund të mos i mbijetojnë efekteve negative të pandemisë, ajo çka nxjerrim si mësim nga mos arritja e votimit të projektligjit për rimëkëmbe ekono0mike në Kuvend është i nevojshëm të arrihet konsensusi nacional për çështje ekonomike, për çka ne si Odë Ekonomike Amerikane e kemi thënë tash e sa muaj. Për tema që kanë të bëjnë për zhvillim ekonomik, nevojitet një konsensus që i tejkalon numrat e koalicionit qeverisës”, thotë Zeka.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, përmes telefonit, i tha KosovaPress-it se miratimi i projektligjit të rimëkëmbjes ekonomike e shmang kolapsin ekonomik në vend.

“Është shumë më rëndësi për shkak se ne mendojmë që ky projektligj e shmang kolapsin ekonomik në vend. Deputetët duhet të jetë të vetëdijshëm që nuk janë aty vetëm për interesin e vet apo interesa të ngushta politike, pse ata janë në Parlament janë edhe me krijua mirëqenie për qytetarët dhe përmes këtij projektligji ne besojmë që krijohet mirëqenia. Ky projektligj nuk ka të bëjë as me Qeverinë as me opozitën po ka të bëjë me qytetarët e vendit dhe besojmë që e rregullon dukshëm mirëqenien në vend”, thotë ai.

Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike sot do të hidhet në votim për herën e gjashtë. Ai përfshin shumën prej 385 milionë euro, si dhe mundëson tërheqjen e 10 përqind të kursimeve pensionale.

Share.