NISMA për Kosovën ka kërkuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që fshati Runik i Skënderajt të shkoj në rivotim, me arsyetimin se kanë ndodhur parregullsi gjatë procesit të votimit në zgjedhjet e së dielës së kaluar.
Sipas burimeve të ‘Frontonline’, nëse aprovohet kërkesa e tyre për rivotim, atëherë ky subjekt politik mund ta kaloj pragun zgjedhor, pasi që ka numër të madh të votuesve.
Sipas të dhënave nga Komuna e Skënderajt, Runiku i ka 2978 votues të regjistruar, përderisa në zgjedhjet e së dielës kanë votuar 737 qytetarë.
Edhe kryesuesi i sekretariatit në PZAP, Mulë Desku, ka konfirmuar se ka pranuar ankesës nga NISMA, e cila, sipas tij, është duke u shqyrtuar, pasi që, siç thotë ai, edhe Policia e Kosovës po merret me këtë rast.
“Po është një ankesë nga NISMA për Kosovën që fshati Runik të shkojë në rivotim. Ankesa është duke u shqyrtuar. Edhe Policia e Kosovës është duke u marrë me këtë rast”, tha Desku.
Ndërsa nga NISMA për Kosovën kanë thënë se kandidati i tyre për deputet, Xhevdet Smakiqi, ka kërkuar që kjo qendër të shkoj në rivotim.