Presidentja Osmani e Kosovës në një konferencë për shtyp sot ka bërë të ditur se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të vendit.
Shefja e shtetit ka pohuar se këtë vendim e merr duke u “bazuar në shkronjën dhe frymën e Kushtetutës sonë, duke argumentuar nga aktgjykimet e shumta Gjykatës Kushtetuese, si dhe duke shtuar se e nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore”. Në fund ajo ka treguar se “procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtar”.
Mirëpo, pikërisht mos dekretimi i Kryeprokurorit të shtetit është kritikuar në vazhdimësi nga njohës të proceseve juridike si shkelje kushtetuese nga ana e Presidentes së vendit. Çështja ishte bërë më qartë sidomos pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese kur institucioni më i lartë juridik në vend e kishte shpallur si të pavlefshme aneksen kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit z. Shqipdon Fazliu, dhe në këtë mënyrë duke eliminuar pengesat e fundit proceduralë për emërimin e Blerim Isufajt në këtë pozitë.
Sipas avokatit Faton Fetahu Presidentja Osmani, që nga prilli i vitit të kaluar është në shkelje të vazhduar kushtetuese me faktin e mosdekretimit të z. Isufaj, duke keqpërdorur detyrën e saj dhe duke mbyllur sytë përballë detyrimit për të “konfirmuar” propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Arsyetimi i saj për mosdekretimin e z. Isufaj se, është “në pritje të shterimit të mjeteve juridike nga ana e kandidatëve të tjerë që kishin aplikuar”, përveçse ishte i paqëndrueshëm, ishte edhe i pabazë. Sidoqoftë, siç e kam thënë edhe në disa raste të tjera, prapa këtij arsyetimi absurd, fshihej motivi i ulët i pushtetarëve për të blerë kohë, e përmes saj, për të arritur që të miratohet e të hyj në fuqi edhe Ligji i ri për Këshillin Prokurorial, në mënyrë që përbërja e re e këtij të fundit, të tërheqë propozimin dhe emrin e z. Isufaj për dekretim dhe të propozoj kandidatin e “përshtatshëm” dhe të “preferuar” të saj/tyre për këtë pozitë. Edhe pse nuk ju dolën llogaritë, ia dolën në orvatjen e tyre të dëshpëruar për ta zvarritur procesin deri te vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese.
I këtij mendimi kishte qenë edhe njohësi tjetër i procesve juridike Aovakti Ardian Bajraktari kur kohë më parë kishte shkruar se “Afatet janë alfa dhe omega e proceseve gjyqësore. Ti mund të kesh plotësisht të drejtë por po si respektove afatet atëherë je i humbur. Tashmë nuk ka as edhe një arsye për tu zvarritur tutje çështja e dekretimit ose jo e kryeprokurorit të shtetit. Pra, çështja është ekskluzivisht në dorën e presidentes së shtetit”.
Kurse, analisti Afrim Kasolli, po ashtu kohë më parë ka shkruar Vjosa Osmani ose do të detyrohet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ose të dalë kundër këtij institucioni për ta plotësuar edhe me tutje vullnetin e shefit të qeverisë. Ajo ndodhet para një dileme fatale. Të veprojë në përputhje me detyrimet ndaj drejtësisë kushtetuese, ose të mbetet peng i interesave politike. Hapësira për ekzibicione të ndërmjetme tash e tutje nuk ekziston”.
Mbetet të shihet se si do të adresohet më tutje ky vendim i fundit i Presidentes për mos dekretimin e Kryeprokurorit të shtetit.
/TV Malisheva