Shkruan: Afrim Kasolli – Ekziston një prirje për t’i krahasuar veprimet e liderëve politikë me ato të aktorëve dhe atë veçanërisht personazheve kryesorë të filmave aksion të Hollywood-it. Ky interpretim është bërë veçanërisht tundues kohën e fundit për të tërhequr paralele ndërmjet strategjive politike të Presidentit Rus Vladimir Putin dhe protagonistit të njohur të filmit serik James Bond. Ku i pari në të njëjtin stil kontrollin çdo gjë, madje edhe kaosin. Dhe se kur i nevojitet për interesa të tij me një akt i çliron forcat çrregulluese në çdo cep të planetit, për ta zhvendosur vëmendjen e publikut botëror nga krizat e tij.
Sipas Steve Rosenberg nga mediumi britanik BBC, gjithçka duket si e orkestruar nga shefi i Kremlinit. E shtyp një pullë dhe shpërthen dhuna në Ballkan. E shtyp tjetrën dhe Lindja e Mesme përshihet nga flakët e luftës. Natyrisht, vazhdon ky autor një shpjegim i tillë mund të jetë i ekzagjeruar dhe jo i saktë, sepse shpërthimet në këto pjesë të botës janë pasojë edhe e shkaqeve tjera, por kjo nuk do të thotë që lideri rus nuk përfiton nga këto. Pra edhe nëse ai s’e ka shtypur butonin e luftës në e Lindje të Mesme, nuk ka dyshim se është i gatshme ta shfrytëzojë atë.
E para falë kësaj spirale të re dhunës në Lindje të Mesme, agjendat e lajmeve ndërkombëtare do të fokusohen gjithnjë e më pak në luftën e Ukrainë. Po ashtu ky zhvillim ka ngritur shpresat se mbështetja perëndimore si në armatim dhe ndihma tjera financiare do të orientohet më tepër drejt Izraelit dhe më pak në drejtim të ushtrisë së Ukrainës. Sa mund të kenë bazë këto kalkulime Carit të Ri të Rusisë mbetet të shihet? Sepse në fjalimin e mbajtur mbrëmë para kombit amerikan Presidenti i SHBA-ve Joe Biden e ka bërë të qartë se mbështetja si për Izrealin ashtu edhe për Ukrainën është njëlloj e rëndësishme për Uashingtonin. Ngase të dy këto vende demokratike po përballen me armiq që dëshirojnë t’i zhdukin harta politike e botës.
Një synim tjetër i Moskës është që të shfaqet si ndërmjetësues në këtë konflikt, duke e akuzuar Uashingtonin si përgjegjës kryesor për atë që po ndodh. Ishte vet Presidenti Rus, që para pak dite ka pohuar se konflikti mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit në Gaza, shfaq dështimin e politikës së Uashingtonit në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet e tij për ta monopolizuar rajonin. Prandaj, është koha që Rusia të përfshihet si negociatore në këtë konflikt për t’i dhënë jetë paqes. Mbase, nuk ka cinizëm me të madh se sa kjo intencë një shteti që shpërfill në mënyrë flagrante të drejtën ndërkombëtare duke pushtuar një vend fqinj të ofrohet në anën tjetër, si model i paqes dhe garantues i saj, me motiv denoncimin dhe satanzimin e SHBA-së.
Kurse qëllimi tjetër i kësaj strategjie është prishja e planeve konkrete të Amerikës në rajon. Dhe Hamasi më shumë se askush tjetër i ka shërbyer interesave të Rusisë duke ndikuar në zvarritjen e marrëveshjeve ndërmjet Izraelit dhe Arabisë Sauditë, ku Uashingtoni pat shpenzuar shumë kohe dhe përpjekje për t’u arritur.
Kështu, duke hedhur “gaca në barut” si thotë një fjalë Moska, po tenton që me të gjitha mjetet ta mbajë gjallë kaosin për të përfituar strategjikisht, por që në fund do të mund t’i kthehet në bumerang. Sepse megithë ngjashmëritë formale që mund të ekzistojnë ndërmjet krijimeve artistike dhe procese reale, këto të fundit kur dalin jashtë kontrollit nuk e kanë një regjisor në prapaskenë për ta orientuar përmbylljen e tyre drejt një fundi të lumtur.
/TV Malisheva