Na ka rënë shpesh të dëgjojmë për mjetet diplomatike të “shkopit dhe karotës”. Me të parën lidhen kryesisht format e presionit më të ashpër, ku shtetet ose organizatat ndërkombëtare e përdorin si instrument për të realizuar qëllimet e tyre, kurse me të dytën format më të buta dhe joshëse, ku shteteve të caktuara u thuhet se nëse dëshirojnë të kenë këtë apo atë përfitim duhet të sillen  konform rregullave të caktuara.

Zakonisht modeli i parë ju atribuohet SHBA-ve, kurse i dyti BE-së. Kjo e fundit në saje të politikave integruese,  mjeteve financiare dhe mekanizmave tjerë i kushtëzon shumë shtete që të sillen në pajtim me detyrimet që Brukseli i imponon.

Duket sikur një qasje të tillë ka filluar ta ndjek Bashkimi Evropian si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj Serbisë, lidhur me dakordimin e këtyre dy vendeve për Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe atë të zbatimit të Ohrit. Që kur ndodhi pajtimi për këtë fundit ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë  Aleksandër Vuçiq me 18 mars, edhe pse mungonte nënshkrimi i dy liderëve në këtë dokument, Bashkimi Evropian siç shkruante REL, i ishte vënë punës për t’i bindur palët që ta kuptojnë “Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat. Kjo, në rastin e Serbisë, është menduar të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim. Me këtë, kushtëzimi i procesit të integrimeve evropiane me normalizimin e raporteve, bëhet edhe më i qartë, edhe më i gjerë”. Madje të dy shteteve u është përkujtuar fakti se mosimplementimi nga to i marrëveshjeve do të ketë pasoja për procesin e integrimeve të tyre në BE, por edhe për asistencën financiare të Bashkimit Evropian.

Politika e kushtëzimeve të karotës nga Brukseli ka filluar të marrë formë gjithnjë e më tepër. Komisioni Evropian ka miratuar me 8 nëntor një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 feri në vitin 2027. Ky plan i rritjes ekonomike ishte përmendur edhe në Samitin e Berlinit në Tiranë.

Mirëpo, si Serbisë ashtu edhe Kosovës i është bërë e qartë se nuk mund të përfitojnë nga këto fonde tw Komisionit Evropian për rritjen ekonomike, sikur se vendet tjera të rajonit, nëse nuk dëshmojnë përparim në procesin  e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre. Ndërkohë, këtu duhet kujtuar se Kosova vazhdon te jetë nën masa ndëshkuese, për shkak të aksioneve në pjesën veriore të vendit.

Ndërkaq, kohën e fundit janë vërejtur dallime edhe ndërmjet Qeverisë së Kosovës hedi Administratës Amerikane. Kjo e fundit insiston se nënshkrimi nuk është i domosdoshëm për zbatimin e marrëveshjeve, si të Brukselit ashtu edhe të Ohrit. Madje Ambasadori amerikan në Kosovë,  Jeffrey Hovenier, ka përsëritur qëndrimin se ka një urgjencë për krijimin e Asociacionit, kurse retorikën e Kurtit e ka quajtur shpërqendruese. Nëse thellohet ky tension atëherë mbetët të shihet se cili mund te jetë shkopi diplomatik i këtij shteti. Para pak kohe, FSK ishte përjashtuar nga ushtrimet e përbashkëta me trupat aleate të NATO-së.

/TV Malisheva

Share.