Që nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zvecanit është e vërtetë se diplomacia ndërkombëtare e ka dënuar këtë akt. Ka kërkuar hetime. Dhe po ashtu është thënë se nëse hetimet dëshmojnë lidhjet e shtetit serb me këtë grup atëherë duhet të imponohen edhe masa ndëshkuese kundër Beogradi. Mirëpo, deri më tani çdo gjë ka mbetur vetëm në nivel të deklarimeve publike. Nuk ka asgjë konkrete.

Ishte ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë Jeff Hovenier,  i cili pak ditë pas sulmit deklaroi  se “ne e dimë se ishte i koordinuar dhe i sofistikuar. Sasia e armëve sugjeron se kjo ishte serioze, me një plan për të destabilizuar sigurinë në rajon, ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të ndriçohet dhe ata të mbahen përgjegjës”.

Konstatime pak a shumë të ngjashme kanë dhënë edhe shumë zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë. Kurse Polica e Kosovës me anë të një konference për shtyp kishte ofruar dëshmi për bazat ushtarake se ku ishte trajnuar ky grup. Ndërkaq, me 19 tetor Parlamenti Evropian e miratoi një rezolutë ku e dënonte këtë agresion duke e quajtur atë një “sulm terrorist” dhe duke i kërkuar Serbisë që të bashkëpunojë me drejtësinë në dënimin e personave të implikuar në këtë ngjarje. Në këtë drejtim shihet qartazi se kërkohet dënimi i fajtorëve të këtij sulmi. Mirëpo, asnjë masë nuk është marrë deri më tani kundër shtetit të Serbisë.

Ndërkohë, autoritet shtetërorë në Kosovë pas kësaj date kanë ngulmuar se edhe dialogu më nuk mund të vazhdoj pa u ndëshkuar Serbia. Sepse para këtij procesi duhet të garantohet siguria e Kosovës. Në një sërë prononcimesh Kryeministri Kurti kishte pohuar “dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdojë thjesht sikur asgjë nuk ka ndodhur. Nuk mund ta mbështesim si ‘punë të zakonshme’. Kapitulli tjetër i dialogut për normalizim tani duhet të marr parasysh veprimet e agresionit të Serbisë dhe synimin e saj për të aneksuar veriun e Kosovës”.

Dhe është kjo e kërkesë e përfaqësueseve të shtetit të Kosovës që si duket po gëzon gjithnjë e më pak mbështetje në diplomacinë ndërkombëtare. Madje, Kryeministri Kurti edhe një ditë para vizitës së pesëshes së emisarëve perëndimorë të përbërë nga Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo, pat deklaruar se nuk “mund të ketë normalizim pa siguri”.  Mirëpo, pikërisht gjatë kësaj vizite M. Lajçak, pas konferencës për shtyp bëri të ditur se “çfarëdo kushti, apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme dhe se ky sulm vetëm se e ka bërë më të rëndësishëm dialogun dhe se ai është rruga e vetme e dy vendeve për aspiratat evropiane”. Ndërkohë, sipas shumicës së përfaqësueseve ndërkombëtarë, pikërisht zbatimit i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një veprim që i kontribuon sigurisë së Kosovës.

Në këtë kontekst, shtrohet pyetja se a mos qëndrime të tilla në mënyrë të tërthortë dhe mes rreshtave do të mund ta mbajnë Kosovën përgjegjëse për rrezikimin e sigurisë? Sepse, logjikisht sipas këtyre vlerësimeve është kjo e fundit që e ka zvarritur si themelimin e Asociacionit, mos shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në pjesën veriore etj etj.  E në anën tjetër deri më tani është kërkuar dënimi i fajtorëve nga Serbia për këtë sulm. Mirëpo, në traditën e mendimit politik dhe juridik perëndimor, siç dihet gjithmonë faji është individual, kurse përgjegjësia politike. Në këtë mënyrë, shteti i Kosovës po ngarkohet ndërkombëtarisht që në saje të mos(veprimit) të tij politik për shkak të moszbatimit të detyrimeve dhe obligimeve të pranuara, ka krijuar një klimë të pasigurisë. Kjo edhe është arsyeja se pse as pas këtij sulmi nuk janë suspenduar masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe nuk janë vendosur ende ndaj Serbisë. Fatkeqësisht vendi ynë po hynë në “javën vendimtare të dialogut” me këtë përgjegjësi me qëllim zbatimin e “planit të ri”

/TV Malisheva

Share.