Shkruan: Afrim Kasolli – Sa herë që shpërthen ndonjë konflikt në ndonjë cep të planetit shtohet frika, ankthi dhe paniku se ai mund të shndërrohet në burim të një kataklizme globale. Ndjeshmëri të tilla janë duke shoqëruar edhe konfliktin që ka shpërthyer ndërmjet Izraelit dhe grupit militant palestinez të Hamasit në rripin e Gazës.

Që nga data 7 tetor kur ky grup e sulmoi Izraelin dhe reagimi i këtij të fundit, si dhe deklarimi i vetë kryeministrit Benjamin Netanyahu se “tashmë jemi në një luftë të gjatë dhe të vështirë” tregon për rrezikun që e pozon kjo situatë.

Mirëpo, ajo që e ka bërë më real skenarin ogurzi të një lufte më të gjerë jo vetëm rajonale, por edhe me implikime globale mbetet retorika përndezëse luftarake që ka filluar të përdoret nga autoritetet shtetërore iraniane. A është ky vetëm një kërcënim bosh, apo mund të ndodh një eskalim i situatës mbetet të shihet?

Në vazhdimësi ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian, ka paralajmëruar se nëse nuk përfundon hakmarrja e Izraelit kundër grupit militant palestinez Hamas në Rripin e Gazës, atëherë Shtetet e Bashkuara “nuk do të kursehen nga ky zjarr”.

Para pak dite i njëjti po ashtu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për Lindjen e Mesme deklaroi se “ i them sinqerisht burrështetasit amerikan, që është duke e menaxhuar gjenocidin në Palestinë, që ne nuk e mirëpresim zgjerimin e luftës në rajon. Mirëpo nëse gjenocidi në Gazë vazhdon, ata nuk do të kursehen nga ky zjarr”.

Kurse, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden i është kundërpërgjigjur udhëheqësit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, që Teheranin të mos gabojë të vërë në shënjestër personelin amerikan në Lindjen e Mesme, sepse përndryshe Uashingtoni është i detyruar të veprojë në mbrojte të tyre.

Ndërkohë, në këtë klimë eruptive politike SHBA-të i kanë ripozicionuar forcat e saja ushtarake në rajon duke dërguar edhe anije tjera luftarake për ta penguar Iranin si dhe grupet tjera militante për të sulmuar Izraelin. E nëse trupat amerikane do të detyroheshin për t’u përfshirë në aksione të drejtpërdrejta luftarake, nëse të parat do të vepronin sipas retorikës që janë duke e kultivuar, atëherë nuk do të kishte kthim mbrapa.

Një luftë e re ndërmjet SHBA-ve dhe Republikës Islamike të Iranit vështirë do të kontrollohej vetëm në rajon. Përkundrazi ajo ka rrezik shpërhapjen edhe në pjesë tjera të botës. Siç dihet, Irani së bashku me Rusinë dhe Moskën ka kohë që i kanë bërë të qarta synimet e tyre gjeopolitike për një revizionim të rendit ndërkombëtar të instaluar pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Të tri këto vende i konsiderojnë parametrat e këtij rendi si të kundërt me interesat e tyre nacionale dhe shtetërore dhe që janë në shërbim të interesave amerikane. Madje në funksion të kësaj agjende mund të përceptohet edhe takimi i Kryetarit të Kinës Xi Jinping dhe atij të Rusisë Vladimir Putin, në Pekin me rastin e shënimit të ceremonisë së 10 vjetorit të projektit “Një Brez – Një Rrugë”. Po ashtu, invadimi ushtarak i Ukrainës nga Rusia në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare është shprehje tipike e jetësimit të këtyre ambicieve gjeopoltike.

Në këtë kontekst, si për Pekinin ashtu edhe Moskën një përfshirje e re e Amerikës në luftë me Iranin do të shihej si mundësia tyre finale. Sepse, të dy këto shtete më shumë se nga solidariteti për të ndihmuar Iranin do të tundoheshin për të vepruar konform interesave të tyre strategjike. E para për ta shtrirë hegjemoninë e saj në disa shtetet tjera të Evropës Lindore.

Zyrtarët e Moskës në vazhdimësi e kanë përsëritur se siguria e vendit të tyre mund të garantohet vetëm duke e rivendosur dominimin e tyre mbi disa shtete që dikur i takonin Bllokut Sovjetik. Shto edhe këtu faktin se Rusia, tani nuk ka lidhje të drejtpërdrejta territoriale as me Kalnigradin, i cili është pjesë e këtij vendi, por që rrethohet nga shtetet anëtare të NATO-së.

Është e vërtetë se Rusia është duke zhvilluar një luftë rraskapitëse në Ukrainë. Por siç është potencuar nga shumë analistë, rezistenca e Ukrainës do të kishte qenë e pamundur pa mbështetjen financiare, logjistike dhe ushtarake amerikane. Prandaj, një riorientim i energjive amerikane drejt një konflikti tjetër Moska do ta përjetonte si çlirim nga presioni dhe mundësi të artë për çuar deri në fund projektin e saj.

Kurse në anën tjetër, Kina po ashtu vazhdon të jetë frustruar më hapësirën dhe supermacinë e kufizuar që aktualisht e gëzon në Azi-Paqësor. E halë në sy për Pekinin,  mbetet ekskluzivisht pavarësia e ishullit të Tajvanit dhe shtrirja e pushtetit në detin jugor të rajonit. Me këtë rast, edhe ky shtet do të mund të nxitej nga të njëjtat shtysa. Veprime këto që do të eskalonin në një luftë  globale.

Nëse historia nuk e përsërit vetveten, të paktën ajo mund të shërbejë si instruksion për skenarë të tillë. Më shumë se para një viti studiuesi i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare Robert Kagan, në një shkrim autorial kishte pohuar martesa strategjike ndërmjet Kinës, Rusisë si dhe shteteve të tyre satelite, sikur Irani e Koreja e Veriut, kushtëzohet nga dëshira, për ta sfiduar pikërisht rendin që e mirëmban Amerika.

Dhe SHBA-të, sipas këtij autori janë përballur me sfida të tilla të ngjashme edhe në të kaluarën. Madje, hiç më larg se në vitet ’30 të shekullit të kaluar kur Gjermania dhe Japonia u mobilizuan kundër parametrave të atij rendi.  Atëbotë edhe ato shtete, pohon R.Kagan, nuk është se ishin aleate të mirëfillta, nuk i besonin aq shumë njëra-tjetrës, dhe nuk i koordinuan strategjitë e tyre të përbashkëta ashtu siç duhet. Por, avancimi i Gjermanisë në Evropë ia lehtësonte punën Japonisë në Azi, kurse avancimi Japonisë në Azi, ia lehtësonte punën Gjermanisë në Evropë. Pra ato përfitonin nga njëra tjetra. Po ashtu, secila kalkulonin se deri sa Amerika ishte e angazhuar në njërin front, tjetra do t’i kishte duart e lira në terrenin e saj.

Me këtë rast, Uashingtonit nuk i kishte mbetur alternativë tjetër, pos të angazhohej në dy fronte në të njëjtën kohë, me rivalët e tij strategjik. Dhe në fund, ajo metodë që u ndoq nga Franklin D. Roosevelt, u tregua e suksesshme. Sepse, SHBA-të dolën fitimtare në të dy drejtimet.

Në këtë kontekst, ka gjasa që nëse përshkallëzohet kriza me Iranin deri në përmasat e një konflikti, këto dy shtete të nxiten pikërisht nga të njëjtat shtysa dhe motive. Ngase, deri sa Amerika është e koncentruar në stopimin e Iranit dhe mbrojtjen e Izraelit, Putini shpreson të përfitojë në lindje të Evropës. Kurse në anën tjetër do të rriten apetitet e Kinës për ta shfrytëzuar shansin, për t’i realizuar projeksionet e saja gjeopolitike.

Rrjedhimisht, nëse kriza aktuale agravohet për shkak të këtyre konvergjencave, atëherë lirisht mund të themi se konflikti në Lindje të Mesme mund të jetë vetëm shkëndija hyrëse e zhvendosjeve të ardhshme sizmike gjeopolitike dhe do të mund të shndërrohej në një akslerator të konfrontimit në përmasa planetare.

/TV Malisheva

Share.