Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë dhe familjarë bëri sot homazhe te varri i profesor Fehmi Aganit në Prishtinë, në 24 vjetorin e vrasjes së tij.

“Trashëgimia e tij politike jeton edhe sot. 24 vite më pas e kujtojmë veprën e tij dhe shenjën hakmarrëse ndaj lëvizjes për liri, pavarësi, demokraci me vrasjen e profesor Aganit. Pra, vrasja e tij përveç që ishte hakmarrje e gjithë lëvizjes në vend, ishte edhe dëmtim i së ardhmes së Kosovës, e cila padyshim se me profesor Aganin do të ishte shumë më ndryshe, shumë më e pasur dhe shumë më përparimtare.”, tha ai.

Abdixhiku potencoi se Agani mbetet një nga ideatorët më të mëdhenj të vendit.

“Si parti politike e kemi për obligim që urtësinë e tij, diturinë e tij, veprën e tij ta vazhdojmë tutje për gjeneratat e ardhshme. Profesor Agani mbetet njëri prej patriotëve më të mëdhej të Republikës së Kosovës.”, shtoi ai.

Ndërsa, djali i Fehmi Aganit, Mentor Agani për ditën e sotme tha që është ditë e dhimbjes, por edhe e krenarisë.

“Është ditë e dhimbjes, por edhe krenarisë. Kanë qenë momente të vështira për të gjithë. Mirë që po mbahen mend edhe që ekziston përkushtimi për me punu ma tutje që senet e tilla mos të përsërisen ma.”, u shpreh ai.

Sot, bëhen 24 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Aganit.

Agani është vrarë me 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe.

Figura e Aganit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor. Fehmi Agani ka qenë njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike.

/TV Malisheva

Share.