Shkruan: Afrim Kasolli

Është e njohur thënia e filozofit paraskokratik, Anaksimandr-it për rendin e domosdoshëm të gjërave. Sipas tij, “Andej nga e marrin gjërat fillimin e tyre, domosdoshmërisht, po andej e gjejnë dhe fundin e tyre; pasi të marrin shpagim dhe të gjykohen për padrejtësitë që kanë bërë, në përputhje me rregullin e kohës”.

Për Niçen, që me shfaqjen e këtij filozofi tragjik, mendimi “shkëputet nga prangat e emprizimit”, asnjë qenie nuk mund t’i shmanget forcës së hekurt të këtij rregulli universal. Pra as njeriu. Nuk ka shpëtim nga forca e Dike-s (Δίκη), që zakonisht përkthehet si drejtësi. Pra a s’jemi vallë mëkatar, të dënuar me vdekje? pyete Niçe, duke e interpretuar këtë spekulacion metafizik të Anaksimandrit.

Vazhdimisht më kanë bërë përshtypje këto pandehma të filozofit para-sokratik për vdekjen, apo siç thoshte Hegeli, kësaj “të drejte absolute që ushtron natyra mbi njerëzit”, kur i kam krahasuar me disa thënie ngushëlluese që ekzistojnë edhe në në përvojën tonë kulturore dhe sociale,  që  nga kohërat që nuk mbahen mend.

Shumë herë kemi pasur rastin ta dëgjojmë nëpër raste të ndryshme mortore atë thënien e njohur që përdoret për t’iu ofruar ngushëllim atyre që u ka i goditur vdekja në familjet e tyre, se “dekën hak e kemi”. Pra ngjashëm sikur te Anaksimandri edhe për shqiptarët vdekja është një lloj shpagimi për faktin se kemi ekzistuar.

Po ashtu sipas mendimit antik me qëllim që t’i dallonin qeniet njerëzore nga krijesat tjera, të parat i quanin “qenie vdekatare”. Falë këtij fati njeriu shndërrohet edhe në individ. Dhe nuk jeton i përpirë vetëm brenda logjikës së species.

Kjo është edhe arsyeja që në horizontet teorike të asaj traditë u krijuan dy nocione për jetën, zoê dhe bio-s. Aristoteli ishte përfaqësuesi më i spikatur i këtij dallimi. E para shënonte parimin e përgjithshëm të jetës, atë që e mban gjallë të çdo qenie, nga edhe rrjedh fjala zologji, kurse e dyta jetëshkrimin e veçantë te çdo njeriu. Në këtë trashëgimi edhe e ka origjinën nocioni biografi.

Mbase është kjo trashëgimi që ka ndikuar që edhe filozofi i njohur gjerman Martin Heidegger, të pohonte se “ vetëm njeriu është qenie që qenëson ka vdekja”. Por edhe neve a nuk na rënë shpesh ta dëgjojmë atë dallimin e njohur se “njeriu vdes” e kafsha (gjaja) ngordhin(cofin).

Pra edhe në këtë rast është e habitshme ngjashmëria që ekziston ndërmjet këtyre koncepteve antike dhe sentencave të sipër cekura të shqiptarëve që e definojnë njeriun si qenie që dallohet nga tjerat, pikëerisht për faktin se i pari është krijesë që i nështrohet vdekjes.

/TV Malisheva

Share.