Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, për politika të gabuara që sipas shkaktuan dëm të rëndë.
Ai ka kritikuar Ministrinë e Financave për platformën “Superpuna”, duke thënë se atë sot mund ta bëjë një kompani me tre persona dhe se nuk është për një qeveri të tërë.
“Punëtorë janë lënë në mëshirën e zotit. Është rrjet i pompave të benzinës që ka qarkullime milionëshe që nuk i paguan pagat e punëtorëve me rregull. Secili prej tyre është i/e frustruar dhe i/e frikësuar për gjendjen dhe ata bashkë me shoqërinë, me vëllezër e motra janë në kërkim të daljes, ikjes nga Kosova ani pse paskan një punë. Këto probleme nuk rregullohen me platforma si ‘Superpuna’ por me zbatim ligji, me inspektorë dhe standarde të premtuara. Këto probleme nuk rregullohen me fotografi të konferencave e udhëtime e as darka e dreke dhe as nga ulëset e aeroplanëve”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Sipas tij një ditë njerëzit do ta kuptojnë qartë që sistemi i kontrollit dhe kushtëzimit nuk e mban dot vullnetin e njerëzve për punë. Kjo ka thënë se është provuar dhe nuk ka funksionuar.
“Sektori privat ka nevojë për hapësirë të zhvillimit dhe qarkullim të kapitalit, kredi të favorshme. Shteti duhet të sigurojë drejtësinë dhe garën e konkurrencës fer … Sot u raportua se 2000 mijë lokale janë mbyllur vetëm në Prishtinë, nuk ka punëtorë, kot bëje ‘Superpunën’, punëtorët duan të drejta, pagesë të rregullt dhe jo vonesa me nga një muaj e më shumë”, ka shkruar Abazi.
Ai ka kritikuar Qeverinë edhe për ulje të pagave të stafit të Kuvendit të Kosovës. “Administrata e Kuvendit goditet me zvogëlime drastike të pagave nga qeveria. Institucioni më lartë i vendit në nivel të rëndësisë vitale të dokumentacioneve dhe informatave ka pagë prej 400 euro. Një punëtor kuzhine në Prishtinë ka pagë 1000 euro e më shumë dhe nuk ka të mjaftueshëm në treg”, ka shkruar Abazi.
Sipas tij ekspertiza e gjithë Kuvendit, stafi që është trajnuar që me shumë se 20 vite, siç ka thënë ai, tani janë me një sy në drejtim të daljes. “Me këtë është prekur integriteti i institucionit me të lartë të vendit!”, ka shkruar Abazi.
/TV Malisheva